Berisha: “Internet duhet të ketë në të gjithë shkollën”
Njohuritë kompjuterike në rang vendi janë në nivel të ulët dhe për këtë arsye, Ministria e Arsimit duhet të marrë masa paraprake për të mundësuar përhapjen e përdorimit të internetit në të gjithë vendin. Duke konsideruar modelin estonez të përdorimit të teknologjisë së informacionit në masë të gjerë, si një sukses të arritshëm, Kryeministri Berisha, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave theksoi se duhet të bëhen përpjekjet maksimale nga institucionet përkatëse të mbështetura edhe nga qeveria për edukimin në tërësi të qytetarëve lidhur me përdorimin e internetit. Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Arsimit shqyrtimin e mundësive për ndërmarrjen e kurseve të gjera lidhur me përdorimin e internetit dhe kompjuterit në të katër anët e vendit. “Duhet të pararendim me çdo kusht me edukimin, duke i shndërruar shkollat në qendra të edukimit të komuniteteve. Të punojmë në këto muaj për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet për edukimin e popullatës.”,- u shpreh Kryeministri
Ministri Barka: “Rreth 140 mijë shqiptarë janë punëkërkues”’
Aktualisht numërohen rreth 140 mijë punëkërkues të papunë në vend. Ndërkohë që Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, deklaron se objektivat për uljen e papunësisë vlerësohen të përmbushura në disa fusha, por edhe me sfida të mëtejshme për realizimin e programit të Qeverisë për rritjen e punësimit dhe uljes së varfërisë. Duke e konsideruar ditën e 1 Majit si një datë, që kujton plotësimin e kushteve më të mira të punës, ministri deklaroi se me programet bazë të tregut të punës, si ndërmjetësimi për punësim dhe programet e nxitjes së punësimit, niveli zyrtar i papunësisë në rang vendi arrin në masën 13.2%, (kundrejt 13.8% në fund të vitit 2006). Sipas tij, riorganizimi i Zyrës Kombëtare dhe Zyrave Rajonale te Pajtimit ka rezultuar i arrirë dhe këtë e tregon pajtimi i arritur në mosmarrëveshjet kolektive të punës ne disa sektorë me rendësi jetike në vend si, në nafte, transport, energjitike etj. Kontraktimi Kolektiv mbetet një nga komponentët më të rëndësishëm të dialogut social për MPCSSHB, ku nëpërmjet negociatave dhe ndërmjetësimit me punëdhënësit dhe punëmarrësit, është arritur për herë të parë lidhja e kontratës kolektive ne sektorin e art-kulturës, si dhe përmirësimi i ndjeshëm i kontratave ne arsim, shëndetësi, bujqësi.
2 Maj 2008