ISHP, Forcat Komando do të marrin 400 vaksina Meningokoku
Emanuela Sako
Forcat Komando do të marrin 400 vaksina për Meningjitin para se të nisen për kryerjen e misioneve të tyre paqeruajtëse në vendet e Lindjes së largët. Pas diskutimeve dhe debateve të shumta që pati këtë vit për rastet e të sëmurëve me meningjit, apo Meningokok, Ekspertët e ISHP-së, kanë mundur të sigurojnë doza të vaksinave vetëm për rastin e trupave Komando dhe mjekëve. Kjo pasi trupat ushtarake që do të shërbejnë në vendet e largëta, mund të sjellin bakterin e Meningokokut, çka mund të sjellë përhapje të epidemisë. Për këtë arsye të gjithë ushtarakët që do të nisen me mision, do të vaksinohen. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, u shpreh se ISHP-ja po negocion për blerjen me prokurim të drejtpërdrejtë të rreth 400 dozave të vaksinës së meningjitit të tipit meningokok. Blerja e këtyre vaksinave do të bëhet falë grantit të përfituar nga Global Found. Sipas tij, përfituesit e kësaj vaksine, do të jenë ushtarët paqeruajtës të Afganistanit, të cilët mund të sjellin virusin e meningokokut dhe punonjësit shëndetësorë.
Blerja
Kjo masë vaksinash do të blihet brenda këtyre ditëve dhe do të përdoret për të gjithë ata persona, të cilët kanë udhëtuar në vendet që kanë përhapje të madhe të këtij virusi. Kjo është një masë mbrojtëse të qytetarëve nga Ministria e Shëndetësisë, e cila synon parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive në vend. Kështu, për të parandaluar ardhjen e sëmundjeve të rënda infektive, kryesisht nga vendet tropikale, siç është meningjiti, ISHP-ja kërkon ngritjen e një qendre vaksinimi kryesisht për personat që udhëtojnë drejt këtyre vendeve. Në këtë rast edhe opinioni publik do të jetë më i qetë, përsa i përket përhapjes së një epidemie. Këtë vit qytetarët u alarmuan për shfaqjen e Meningjiti dhe frika e përhapjes së tij, në rast se do të ishte e tipit Meningokok, e cila sjell vdekjen e pacientit. Ndërkohë që qytetarët nuk janë të vaksinuar nga kjo sëmundje, pasi vaksina nuk ndodhet në vend dhe ka një kosto të madhe të blerjes.
Ruajtja
Instituti i Shëndetit Publik ka siguruar 80 frigoriferë specialë për ruajtjen e vaksinave si dhe pajisje të tjera, të cilat do të shpërndahen deri në zonat më të largëta të vendit.
Drejtori i ISHP, u shpreh se falë mbështetjes së Qeverisë japoneze dhe UNICEF-it janë siguruar 80 frigoriferë specialë dhe qindra pajisje të tjera si indikatorë të temperaturës dhe termobokset, si teknologji ndihmëse. Sipas tij, bëhet fjalë për fuqizimin e zinxhirit të ftohtë dhe gjithë sistemit të pajisjeve dhe teknologjive që ndihmojnë në shpërndarjen e vaksinës për të gjithë fëmijët, deri në fshatrat më të largët të vendit.
Stojku: ”Kontrolli i klinikave private detyrë e Drejtorive Rajonale të shëndetësisë”
Drejtoritë Rajonale të vendit duhet që të kryejnë inspektime periodike në të gjitha klinikat private në vend. Drejtori i Politikave të Brendshme në Ministrinë e Shëndetësisë, Edmond Stojku, u shpreh se duhet të merren masa për verifikimin e standardeve që kanë klinikat private në të gjithë vendin. Për këtë, duhet të angazhohen Drejtoritë Rajonale dhe jo Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë që verifikimi i tyre, duhet të kryhet disa herë brenda një viti dhe jo një herë në vit. Duke marrë shkas nga rasti i vdekjes së adoleshentes nga Maliqi i Korçës pak ditë më parë, Stojku sqaroi se klinika në Pogradec, është brenda standardeve të shëndetësis. Sipas tij, ajo do të qëndrojë e mbyllur deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria. Në bazë të rezultateve përfundimtare të hetimeve që po kryhen nga prokuroria do të vendoset edhe fati i mjekut, Xhevahir Hjoxhallari, i cili operoi 17-vjeçaren, Matilda Petriti. Ndërkohë që prindërit e vajzës vazhdojnë të bëjnë përgjegjës mjekun, sipas tyre, ai nuk ka kryer operacionin në rregull, duke i prerë venat e gjakut. Ndërsa mjekë të tjerë specialistë, pohojnë se kyrast është ndër rastet e rralla me pasojë vdekjen nga operacioni i bajameve. Ndërkohë që gabimet në sistemin shëndetësor janë tepër të mëdha. Nga takimi i dy ditëve më parë të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe mjekë specialistë, me Ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka, u vu theksi se në spitalet e vendit mungojnë mjekët specialistë. Kështu, në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit punojnë vetëm 40 mjekë specialistë, sipas tyre për këtë e ka fajin ministria dhe reformat e saj të cilat kanë larguar nga puna mjekët specialistë. Ndërsa rasti më flagrant që u përmend në këtë takim, ishte rasti i mjekut Refatllari që u plagos një muaj më parë dhe kolegu i tij që bëri qepjen e dorës, i la pa qepur venat e gjakut. Një gabim i tillë mund t’i shkaktojë humbjen e profesionit, pasi nuk mund të përdorë dorën e plagosur. Stojku, ka përmendur se reformat në sistemin shëndetësor janë të domosdoshme, por kërkojnë financimin e duhur, çka i pengon në përmirësimin e kushteve në sistemin e shëndetësisë, që duket se është në krizë dhe po përjeton një situatë të mjerueshme.
2 Maj 2008