E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët “kryqëzojnë” Partizanin. Xhani: “Luajtëm kundër 14 vetave”



Një gol i çuditshëm i Arben Prelës për Kastriotin në fundin e pjesës së parë (44’), i shoqëruar me një gol të Rezart Mahos (70’) për Partizanin, të anuluar në mënyrë të dyshimtë nga anësori Arjan Mali, i dhuruan formacionit të Ramadan Ndreut rikthimin pas një sezoni mungesë midis ekipeve më të mira të Shqipërisë.
Një grup gjyqtarësh i hedhur me short para nisjes së takimit dhe i kontestuar fuqishëm nga të kuqtë, si dhe një Kastriot i ndërkombëtarizuar me malaziasin Dragan Miçiç, zambianin Xhanuari Ziambo e nigerianin Xhejms Osusi, përmbushi “misionin” e rrëzimit të Partizanit.
Partizani zbriti për herë të dytë një kategori më poshtë, në të Parën, saktësisht dhjetë vjet më pas pasi e përjetoi atë për herë të parë në fund të sezonit 1998-1999.
Fundi i takimit të parë play-out të këtij “ekstra-kampionati” ishte i gjithi një sherr i pafund midis stafit teknik, lojtarëve të Partizanit, ku spikati goditja e fuqishme e presidentit të “demave”, Albert Xhani, ndaj anësorit Mali, njeriut që anuloi edhe golin e barazimit të 15-herë kampionëve të Shqipërisë.

NDESHJA
Ne një asnjanës të ftohtë si “Niko Dovana”, tifozeritë e dy skuadrave u përpoqën të frymëzojnë lojtarët e tyre, në një ndeshje që dhuroi pak emocione në fushë në praninë për herë të parë edhe të trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe e ndihmësi i tij, Xhemal Mustadegnçeviç.
Pas disa rasteve sporadike, afrikani Ziambo në minutën e 31-të, goditi fuqishëm, por reagimi në dy kohë i Shehit zgjidhi situatën. Në fund të pjesës së parë erdhi edhe momenti më që vulosi fatin e takimi.
Arben Prela, mbrojtësi këmbëmajtë lezhjan që luan për Kastriotin, ekzekutoi një goditje të lirë në minutën e 44-t, dhe topi i devijuar edhe nga era mori një flurudhë të çuditshme e kaloi vijën e portës, i pa frenuar dot nga portieri Shehi.
Anësori Arjan Mali nga Patosi anuloi golin e shënuar në minutën e 70-të nga Rezart Maho, një gol i shënuar në pozicion të rregullt, por i konsideruar në pozicion jashtëloje nga ndihmësi i Lorenc Jeminit.
Protestat e stafit teknik, futbollistëve të kuq e ishin të forta ndaj Malit, i cili shtynte me duar në një mënyrë të pazakontë për një gjyqtar lojtarët e Partizanit.
Pas ndëshkimit me karton të verdhë të Mahos, nisin edhe ndërhyrjet e rënda midis lojtarëve, në një takim që pati nëntë kartonë të verdhë dhe ritualin e zëvendësimit logjik të lojtarëve.

INCIDENTET
Pas skadimit edhe të pesë minutave shtesë, situata doli në fund jashtë kontrollit në “Niko Dovana”, pas protestave të para të mesfushorit të Partizanit, Engert Bakalli, e më pas edhe më hyrjen në fushë të drejtorit të Akademisë së Partizanit, Genc Tomori e presidentit Xhani, madje ky i fundit e goditi me grushte
anësorin Arjan Mali, që u vu menjëherë nën mbrojtjen e policisë.
Me rrëzimin e dytë të Partizanit në 63 vjet histori të skuadrës më popullore në Shqipëri, mori fund edhe një cikël i gjatë manipulimesh nga “xhaketat e zeza” ndaj skuadrës që ka vuajtur më shumë gjatë këtij sezoni, për arsyet e njohura me karakter financiar, por që një nxënës shembullor i gjeniut Oto Bariç, si Duro, nuk arriti ta “Shpëtojë” nga kthetrat e intrigave të nivelit të lartë. 5 vetë u shoqëruan në polici, ndër të cilët trajneri i ekipit “Partizani” Shpëtim Duro dhe Presidenti Albert Xhani. Të gjithë të shoqëruarit u lanë të lirë më pas, pasi për ta nuk kishte një kallëzim.
Sot në “Qemal Stafa” do të luhet ndeshja tjetër play-out, midis Bylisit e Gramozit, në përfundim së të cilës do të përcaktohet edhe skuadra e 12-të e Superligës për sezonin e ardhshëm.

DEKLARATAT

“Të gjitha ndeshjet i kemi luajtur kundër 14 vetëve duke përshirë gjyqtarët. I kishim fituar të gjitha deri më më tani, por në rast se ke gjyqtarët kundër, edhe mund të humbasësh. Është gjynah për këto lojtarë që kanë tetë muaj pa u paguar dhe kanë luajtur me mish e me shpirt. Ne nuk kemi asnjë pastur asnjë mbështetje. Partizani është skuadër jetime. Kjo skuadër ka një histori të madhe, prandaj u them të gjithëve se Partizani nuk është vetëm i Shqipërisë, por është i gjithë botës”, - tha presidenti Xhani pas ndeshjes.
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro: “Më vjen keq që përfundoi në këtë mënyrë një sezon shumë i vështirë për ne që nga fillimi. Më thanë që goli i shënuar nga ne ishte i rregullt. Kjo është vërtetë për të ardhur keq, pasi në futboll për një gol luhet. Gjithsesi ne bëmë maksimumin tonë jo vetëm në këtë ndeshje por në gjithë këtë sezon, ku problemet e shumta”.

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›