E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flet kreu i KQZ - “Numërimi i votave, transmetim direkt”

 

BLEDAR HOTI

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani në intervistën për “Panorama” shpjegon arsyet se pse ka ndërhyrë në debatin ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kreut të misionit të ODIHR në Shqipëri, Glover. Z. Ristani, kur ndodhemi afro një muaj nga dita e votimit, në ç’fazë ndodhen përgatitjet nga ana e administratës tuaj?
Përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit janë në një rrjedhë shumë normale. U munduam që në fillim që të kapnim kohën e humbur për shkak të ndryshimit të Kodit Zgjedhor dhe të konstituimit të KQZ-së dhe deri tani ia kemi dalë. Kemi përgatitur bazën dokumentare të procesit nëpërmjet mbi dyqind vendimeve dhe 17 udhëzime të KQZ. Siguruam transparencën maksimale të mbledhjeve të Komisionit nëpërmjet transmetimit të tyre direkt (online) në faqen e internetit të KQZ. Pajisëm me teknologjinë bashkëkohore të gjitha zyrat tona të punës. Ngritëm dhe filluam trajnimin e KZAZ-ve. Përgatitem dhe po vëmë në zbatim një strategji të marrëdhënieve me publikun duke synuar të nxisim njerëzit për të votuar dhe për të sqaruar procedurat e votimit. Po sigurojmë në vazhdimësi të gjithë bazën logjistike të zgjedhjeve dhe po bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë institucionet që kanë rol në zgjedhje.
Për here të parë do të aplikohet sistemi i kamerave në momentin e numërimit dhe shpallja paraprake të rezultateve. Sa është i realizueshëm një proces i tillë nga ana e KQZ?
Për herë të parë po implementojmë monitorimin me kamera të procesit të numërimit të votave në 66 Vendet e Numërimit të Votave. Për herë të parë do të sigurojmë pamje direkte në KQZ nga të 66 vendet e numërimit dhe do të shfaqim në kohë reale informacione për rezultatet e votimit kuti pas kutie që do të numërohet. Procesi është vërtet risi dhe i vështirë, por po marrim të gjitha masat për ta realizuar. Përdorimi i kësaj teknologjie do të rrisë në maksimum transparencën e numërimit të votave, do të sigurojë marrjen në kohë të informacionit dhe do të mbajë nën kontroll nga KQZ të gjithë procesin.
Si mund t’i cilësoni disa nga qëndrimet e PS-së në adresën tuaj për njëanshmëri ndaj punës së KQZ-së, madje deri dhe në militantizëm. Cili është mendimi juaj mbi rolin e partive politike në procesin zgjedhor, të atyre subjekteve politike që ka ndikim në administratën zgjedhore. Çfarë ndihmë po i japin ato këtij procesi?
Së pari, dua të theksoj se procesi zgjedhor kurrsesi nuk mund të shkojë normalisht pa bashkëpunimin e ngushtë me subjektet zgjedhore që marrin pjesë në proces. Në këtë kuadër kemi pasur një marrëdhënie të shëndoshë midis anëtarëve të KQZ-së dhe administratës sonë me subjektet zgjedhore. Marrëdhënia sigurisht është e bazuar në ligj dhe në etikën korrekte të sjelljes që karakterizon Komisionin dhe administratën e tij. Për sa i përket deklarimeve politike në raport me mua apo me komisionin në tërësi, besoj se ato mbeten thjesht politike dhe unë nuk dëshiroj të debatoj me to. Debati im i vetëm bëhet dhe do të bëhet në mbledhje të KQZ-së.
Zoti Ristani, ju si KQZ u bëtë pjesë e konfliktit ndërmjet qeverisë dhe kryevëzhgueses së ODIHR-it. Me anë të një letre drejtuar shefes së misionit Glover i kërkuat që ajo të shihte pozicionin e saj për këtë përplasje me qeverinë shqiptare. A mendoni se një përfshirje e tillë nga ana e juaj e komprometon punën e KQZ-së, pasi ODIHR do të monitorojë dhe punën e institucionit tuaj gjatë kësaj periudhe?
Unë si kryetar i KQZ e kam për detyrë dhe pjesë të përgjegjshmërisë time ndaj detyrës të krijoj marrëdhënie, të bisedoj, të sugjeroj, të bashkëpunoj dhe të përpiqem të zgjidh të gjitha problematikat, që dalin përpara në punën tonë për organizimin e një procesi zgjedhor brenda standardeve. Në këtë kuadër unë shkëmbej marrëdhënie me shumë drejtues institucionesh, marrëdhënie të cilat bazohen në respektimin e parimeve ligjore dhe etike. Në rastin konkret kishte një problem të krijuar jashtë KQZ-së, problem i cili cenonte rëndë besimin tek procesi zgjedhor. Pikërisht për të mos lejuar që të cenohej besimi ndaj procesit komunikova me zonjën Glover, duke i uruar mirëseardhjen  gjithë misionit vëzhgues të ODIHR, duke e garantuar për mikpritjen tonë dhe bashkëpunimin dhe duke i përcjellë shqetësimin personal për situatën. Aktualisht, misioni vëzhgues i ODIHR ka marrë akreditimin nga KQZ dhe po bashkëpunon normalisht me ne për të realizuar detyrat që ky mision ka.
Sapo ka dalë raporti i parë i ODIHR, cili është mendimi juaj mbi vlerësimet e dhëna mbi punën e institucionit tuaj. Si e cilësoni shprehjen se disa parti politike nuk kanë besim tek administrata zgjedhore? Sa realist është një pretendim i tillë?
Raporti i parë i ODIHR-it ka bërë një vlerësim të përgatitjeve në tërësi, që po bëhen për zgjedhjet e 28 qershorit dhe sigurisht që kemi një raport paraprak, i cili përpiqet të evidentojë një situatë konkrete në prag zgjedhjesh, në të gjitha fushat që mbulon misioni. Eksperienca e tyre tashmë është e njohur dhe duket dhe në këtë raport. Sigurisht ne vlerësojmë bashkëpunimin me misionin, një bashkëpunim tepër korrekt, i cili theksohet dhe në këtë raport.   
Në miratimin e listës së kandidatëve për deputetë është vënë re një fenomen që partitë politike për të arritur kuotën e 30 për qindit të femrave kanë paraqitur më shumë emra në listë se vendet në Parlament. P.sh PS dhe PD kanë tejkaluar kuotën prej 140 emrave të listës. A është e lejueshme një gjë e tillë?
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë përfshirë në listat e tyre kandidate nga secila gjini, duke u kujdesur që numrin tre në listë, ose 30% të listës ta kenë të përbërë nga kandidatë të secilës gjini. Kjo është një risi tjetër që ka prurë Kodi i ri Zgjedhor duke shtuar ndjeshëm kandidimin e zonjave për të qenë deputete dhe sigurisht do të bëjë që Parlamenti i ardhshëm të përbëhet nga më shumë zonja. Listat e paraqitura nga subjektet zgjedhore në KQZ janë të bazuara në ligj, pavarësisht shtimit të numrit të kandidatëve dhe si të tilla janë pranuar nga KQZ.
Si do të veprohet nga ana e KQZ-se me ato kandidatë që mbajnë poste shtetërore, të cilët ende nuk kane dhënë dorëheqjen nga pozicioni drejtues?
Për sa i përket kandidatëve për deputet, të cilët mbajnë njëkohësisht poste të larta shtetërore ata do të duhet të japin dorëheqjen nga posti në rast se këtë e kërkon Kushtetuta apo ligji i tyre organik. Gjithsesi, nuk është KQZ që zgjidh problematika të tilla.
Opozita ngre pretendimin se janë ende 300 mijë votues pa dokumente identifikimi, pasaportë dhe karta identiteti çka rrezikon procesin zgjedhor. Ju që ndiqni nga afër procesin e aplikimit a mendoni se nëse nuk arrihet pajisja me këtë dokument identifikimi, mund të votohet edhe me certifikata apo me dokument tjetër identifikimi?
Kodi Zgjedhor përcakton si të vetmet dokumente të vlefshme për të votuar pasaportën dhe kartën e identitetit. Asnjë dokument tjetër nuk mund të shërbejë në këtë proces. Detyra e qeverisë besoj se është të krijojë të gjithë infrastrukturën e duhur për të bërë të mundur prodhimin e kartave të identitetit në kohë, të krijojë lehtësitë e duhura, që çdokush të ketë mundësinë të pajiset me to dhe të nxisë njerëzit që ‘i marrin kartat e identitetit, sepse ato janë të domosdoshme në jetën e gjithsecilit, jo vetëm për të votuar. Kjo kam mendimin se është arritur dhe në rast se ka akoma njerëz që nuk e kanë marrë kartën apo do të ketë të tillë edhe para zgjedhjeve apo pas tyre, ky mendoj se është problem i vullnetit dhe ndërgjegjes së çdo njeriu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›