Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin informues mes Bankës Botërore, qeverisë shqiptare dhe donatorëve, mbi qeverisjen dhe luftën antikorrupsionin. Qëllimi i këtij takim
Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin informues mes Bankës Botërore, qeverisë shqiptare dhe donatorëve, mbi qeverisjen dhe luftën antikorrupsionin.
Qëllimi i këtij takimi ishte njohja me strategjitë e BB-së mbi antikorrupsionin, sfidat për Shqipërinë, rezultatet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe efektivitetin e programeve të BB-së në këtë drejtim. Të pranishmit diskutuan rreth pikëpamjeve dhe strategjive që mundësojnë permirësimin e qeverisjes përmes forcimit të administratës dhe goditjes se korrupsionit.
Zonja Orsalia Kalanzopulos, Drejtore rajonale e Bankës Botërore për Europën Juglindore, vlerësoi rezultatet e qeverisë shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe u shpreh se "Shqipëria është një histori suksesi për Bankën Botërore" duke përmendur këtu fusha si, administrimi dhe zhvillimi, reduktimi i varfërisë, investimet dhe decentralizimi.
"Janë rregjistruar një numër i madh përmirësimesh dhe situata po përmirësohet nga dita në ditë. Qeveria po i çon përpara përpjekjet në disa drejtime, në mënyrë që gjendja të bëhet akoma më mirë. Tani po përpiqemi se si të përmirësohet më tej qeverisja. Janë kërkuar dhe ofruar projekte konkrete në shërbimin civil, në reformat në drejtësi, në menaxhimin e sektorit publik, të gjitha këto, për të ecur përpara sa më mirë", u shpreh zonja Orsalia Kalanzopulos. Ajo theksoi se "më i rëndësishëm është fakti që qeveria është shumë e vendosur, shumë e përcaktuar të zbatojë strategjinë antikorrupsion, përmes bashkëpunimit shumë të mirë, i cili më parë nuk ka qenë i mundur të ngrihet në këto nivele".
.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh:
"Dëshiroj t'ju falënderoj përzemërsisht për temën që keni zgjedhur. Korrupsioni mund të krahasohet, më shumë se në çdo gjë tjetër, si një kancer i gjeneralizuar i një shoqërie, apo si një matematriks i të gjitha të këqiave madhore të shoqërise, i varfërisë së qytetarëve, i krimit të organizuar, por para së gjithash, rrënues i lirive dhe te drejtave të qytetarëve, rrënues i lirisë së tregut.
Në këtë kontekst, dua të theksoj se vendimtare për të ardhmen e një vendi, për të ardhmen e një kombi, është lufta me zero tolerancë ndaj tij. Kjo është një luftë e vështirë, një luftë shumë dimensionale, një luftë në të cilën çdo moment relaksi ka pasoja shumë të padëshirueshme. Shqipëria pati fatin e keq të bjerë në një sistem kleptokratik. Më mirë se çdo gjë tjeter këtë e faktojnë raportet e Bankës Botërore, raporte këto që, në vitin 2004 shkruajnë se taksa e ryshfetit mbi qytetarët shqiptarë kap shifrën mbi 1.4 miliardë dolllarë në vit, që tejkalon për frymë shifrat e vendeve të Afrikës e vendeve të tjera.
Ndaj kësaj situate, qeveria vendosi strategjinë e duarve të pastra, luftën kundër korrupsionit, si përparësinë e saj absolute, fillimin e kësaj lufte direkt nga zyrat tona, nga vetja jonë. Kjo për dy arsye; dëmtimi është bazë e të gjitha mëkateve të njeriut. Së dyti, këto zyra ishin të zhytura në praktika korruptive.
Bazuar në këtë princip, ne shkurtuam me rreth 40 përqind shpenzimet operative në administratën qendrore. Kjo frymë u shtri në administratën në tërësi, çka bëri të mundur kursimin e një pakete të mirë në euro, nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Bazuar në këtë princip, ne nxorrëm qeverinë nga konflikti i interesit. Asnjë nga ministrat apo zyrtarët e lartë nuk ka dhe nuk mund të ketë biznese, në mënyrë që të mos përdorë pushtetin për të ushqyer biznesin e tij. Përpjekje serioze u bënë për të nxjerrë të gjitha bordet jashtë konfliktit të interesit, pasi ishin të ndërtuara mbi këtë bazë. Bordet caktonin rrogën e drejtorit ekzekutiv dhe shpërbleheshin me përqindjen e kësaj rroge.
Përpjekje të tjera serioze u bënë për të angazhuar publikun në luftën kundër korrupsionit. Ligji i pjesëmarrjes së publikut kundër korrupsionit dhe dhënia e garancive të dëshmimtarit, denoncuesit të korrupsionit, si dhe shpërblimi me 6 përqind të vlerës që ky denoncim sjell, shumëfishoi informacionin për aktet e korrupsionit dhe bëri të mundur një luftë më efiçente kundër tij.
Riorganizimi i buxhetit është një përpjekje tjetër e jona për ta nxjerrë buxhetin jashtë skemave të korrupsionit. Ne gjetëm një buxhet të thërrmuar, të fragmentuar në mbi 3500 mikroprojekte. Këto projekte kishin si qëllim kryesor prokurimin direkt. Nga ky buxhet ne kemi kaluar në një buxhet me disa qindra projekte më pak. Ky është vetëm një hap i parë. I tërë buxheti duhet të organizohet mbi një skemë antikorrupsion dhe kjo është e domosdoshme.
U bënë ndryshime serioze në administratën e doganave dhe tatimeve, duke larguar elementët e korruptuar. Ka rezultate spektakolare në mbledhjen e të ardhurave dhe uljen e taksave. Është rritur transparenca në prokurimet publike dhe është ulur, me rreth 20-25 përqind, kostoja e tyre. Është miratuar ligji i ri për koncensionet dhe partneritetin publik e privat, qindra e qindra milionë euro u nxorrën e nga labirinthet e korrupsionit, u vendosën në buxhetin e shtetit, ose iu rikthyen si ulje taksash biznesit shqiptarë.
Lufta kundër korrupsionit ka shënuar një kthesë të qartë, por është absolutisht vetëm një stacion dhe pritet nga ne një konsolidim i mëtejshëm i saj. Kusht vendimtar për këtë luftë është që çdo zyrtar ta ketë këtë pikën e parë të axhendës së tij në çdo ditë, kusht përcaktues për suksesin e kësaj lufte është rishqyrtimi nga çdo institucion i të gjitha procedurave të tij, transformimi i tyre, ndryshimi i tyre në funksion të luftës kundër korrupsionit. Nuk ka asgjë më të vlefshme sesa nxjerrja e këtyre procedurave dhe mbrojtja e tyre nga korrupsioni. Nuk ka interes më të madh publik, interes privat të vërtetë, sesa pastrimi i terrenit nga ky fenomen. Ndaj dhe korrupsioni do të mund të luftohet vetëm atëherë kur çdo zyrtar do ta konsiderojë atë çështjen e tij të parë.
Ne jemi një vend me korrupsion, ne duhet të jemi tëvetëdijshëm se ky përbën një problem tmerrësisht të rrezikshëm për shoqërinë shqiptar. Absolutisht ndjej keqardhje të thellë, sepse Shqipëria është e ndarë, Tirana është shumë herë më afër Europës sesa Konispoli apo Vermoshi afër Tiranës. Kemi të bëjmë me një zhvillim disproporcional, kemi të bëjmë me një polarizim të tejskajshëm. Të gjitha këto, në qendër kanë babëzinë, pandjeshmërinë që krijon korrupsioni.
Qeveria përpiqet dhe do të përpiqet që, me procedura, me një strategji të qartë, nëpërmjet privatizimit, decentralizimit, nëpërmjet zhvlerësimit të procedurave, ta luftojmë këtë kancer. Por sërish, përcaktues dhe vendimtar është vullneti i hekurt i zyrtarëve, vetëdija e tyre për ta patur atë çështjen e parë të çdo dite pune të tyre. 1 qindarkë, 1 dollar, 1 euro, e shpëtuar nga korrupsioni, nuk vlen sa 1, vlen sa 4, për respektin që ai ka në moralin e shoqërisë, për respektin që ai ka për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, për lirinë e tregut.
Disa sektorë kanë probleme madhore dhe të gjithë ata sektorë të cilat janë para një muri informaliteti, dua t'u them se janë para një muri korrupsioni. Informaliteti është forma më e përhapur, më e gjeneralizuar e korrupsionit. Asgjë nuk është e padukshme, por korropsioni i bën gjërat të padukshme. Bizneset janë informale, sepse paguajnë taksidarin, një rrogë më të madhe sesa i paguan administrate, bilancet janë informale, sepse paguajnë kontablin. Është në detyrimin tonë madhor, të bëjmë çdo përpjekje për konsolidimin e administratës.
Banka Botërore, gjatë këtyre viteve, ka meritën e madhe të sjelljes së korrupsionit në epiqendër të vëmendjes dhe përpjekjeve të qeverive. Unë mendoj se ka strategji me të cilën ne duhet të punojmë bashkërisht dhe ju siguroj se do të keni bashkëpunimin e plotë të qeverisë në këtë drejtim. Është e domosdoshme të ndihmohemi për një trajtim më adekuat të administratës. Në kushtet në të cilat gjendet administrata, duhet doemos një trajtim më i përshtatshëm në të gjitha aspektet, që të mund të përballet më me guxim, më me përkushtim, më me vendosmëri me këtë fenomen tejet të rrezikshëm. Kemi fituar një betejë, por absolutisht, në rast se nuk e vazhdojmë atë me vendosmërinë më të madhe, nuk mund të them se kemi fituar luftën. Ne luftën duhet ta fitojmë dhe do ta fitojmë. Faleminderit».
Të pranishëm të tjerë në takim ishin Shefi i Misionit të Bankës Botërore në Shqipëri, z. Nadir Mohammed, Ministri i Financave Ridvan Bode, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve Lulzim Basha, Ministri i Arsimit Genc Pollo, Ministri i Ekonimisë, Tregtisë dhe Energjitikës Genc Ruli, përfaqësues të institucioneve donatore, etj.