Dje pasdite nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e javës e Këshillit të Ministrave e cila kishte si tematike kryesore: "Për vazhdimin e reformës në Forcat e Armat

Dje pasdite nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e javës e Këshillit të Ministrave e cila kishte si tematike kryesore:
"Për vazhdimin e reformës në Forcat e Armatosuara, miratimin e normave të kontabilitetit në Republikën e Shqipërisë dhe të marrëveshjeve nderkombëtare që ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë shqiptare''.
Në këtë mbledhje u miratuan një numër vendime e projektligje.
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin: "Për Statusin e ushtarakut të Forcave të Arnatosuara të Republikës së Shqipërisë''.
Me anën e këtij projektligji përcaktohet pozita juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithëshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e ushtarakëve të forcave të armatosuara në Republikën e Shqipërisë për arsye të karakterit të veçantë të detyrës dhe të shërbimit ushtarak si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre.
Ky projektligj synon të institucionalizojë dhe të pasqyrojë ndryshimet që kanë ndodhur gjatë këtyre 10 vjetëve të ristrukturimit të FA dhe legjislacionin e RSH mbi bazën e të cilave ushtrojnë veprimtarinë këto Forca.
Projektligji është organizuar në pesë krerë të cilat në mënyrë specifike grupojnë dhe normojnë të drejta, detyrime, përgjegjësitë, trajtimin financiar, etj. të personelit ushtarak aktiv dhe në rezervë të Forcave të Armatosura.
Përgatitja e projektligjit me qëllim përafrimin e legjislacionit tonë në fushën e mbrojtjes dhe të trajtimit të ushtarakëve me atë të vendeve të Aleancës dhe vendeve partnere të saj, është mbështetur në përvojën e vendeve si Gjermania, SHBA, etj., si dhe është bashkëpunuar me kompaninë amerikane SAIC, e cila asiston Forcat tona të Armatosuara për ristrukturimin e tyre.
Këshilli i Ministrave miratoi edhe projektligjin: "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 8760, dt. 26.10.2000, "Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosuar të Republikës së Shqipërisë''".
Shtesat dhe ndryshimet në ligjin ekzistues, i cili është instrumenti më i rëndësishëm ligjor, për përcaktimin e ecurisë së karrierës ushtarake, bëhen për arsye të vazhdimit të ristrukturimit të FA, të kapërcimit të vështirësive të periudhës kalimtare dhe të kompleksitetit të reformës.
Në projektligj përcaktohet se për ushtarakët që në kohën e hyrjes së në fuqi të këtij ligji, kanë plotësuar kohën maksimale të qëndrimit në gradë e vjetërsi si oficer, sipas nenit 12/c, dalja në rezervë do të përfundojë deri në fund të vitit 2005.
Koha e daljes në rezervë e kësaj kategorie do të përcaktohet me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjthshëm të FA. Shtesat dhe ndryshimet japin mundësi për vazhdimin e reformave strukturore në mënyrë graduale, respektimin e objektivave strategjike kombëtare dhe zbutjes së problemeve sociale.
Një tjetër projektligj që miratoi Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij është edhe ai për: ‘'Kontabilitetin dhe pasqyrat financiare'', i cili përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme për përgatitjen e standarteve kontabël kombëtare e të pasyrave financiare dhe për mbajtjen e kontabilitetit.
Hartimi i këtij projektligji është pjesë e reformës për përmirësimin e legjislacionit financiar dhe harmionizimit më të mirë të rregullimeve kontabël të vendit tonë me rregullimet e Bashkimit Europian. Ai i shërben objektivave të stabilizim – asociimit dhe hyrjes së Shqipërisë në BE.
Ky ligj ndryshon nga ligji ekzistues në shumë drejtime. Projektligji dhe aktet në zbatim të tij, sigurojnë një sistem kontabël fleksibël, efikas dhe efiçent për sigurimin e informacionit të nevojshëm për vendimmarrjen, transparencën, administrimin dhe kontrollin e pasurisë, si dhe për përgatijen e pasqyrave financiare të qarta dhe të besueshme.
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin; ‘'Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë''.
Në projektligj janë përfshirë normat kryesore që janë aktualisht në Statutin e Akademisë së Shkencave dhe është mbajtur parasysh përvoja pozitive e trashëguar nga kjo akademi si dhe përvoja e akademive të tjera analoge në botë.
Projektligji u përmbahet parimeve të pavarësisë, të zgjedhshmërisë së organeve të sistemit të akademisë, të depolitizimit të saj dhe të veprimtarisë së saj në kushtet e ekonomisë së tregut, si dhe sanksionon Akademinë si të gjithë subjektet e tjerë publike dhe privatë, krijon mundësinë që institucionet e Akademisë, të zhvillojnë një veprimtari me rendiment të lartë edhe ekonomik dhe të ruajnë perspektivën e ekzistencës dhe të fuqizimit të tyre. Projektligji ruan traditën e Akademisë së Shkencave, si Akademi funsionale, në sistemin e së cilës veprojnë institute dhe qendra kërkimore-shkencore, krahas karakterit honorifik, që pasqyrohet në dhënien e titullit ‘'Akademik''.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin: ‘'Për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të të nevojave të punës dhe të shërbimit''.
Sipas këtij vendimi, punonjësi i Policisë së Shtetit kur transferohet, komandohet apo emërohet, për herë të parë, për nevoja pune e shërbimi, në drejtoritë e policisë së qarqeve dhe komisariatet e policisë, jashtë vendbanimit të vet, përfiton shpërblim mujor deri në ndryshimin e vendbanimit, në masën si më poshtë:
Në drejtorinë e Policisë së qarkut të Kukësit dhe Komisariatet e policisë së Kukësit, Tropojës, Hasit dhe Pukës, në masën 15 mijë lekë;
Në drejtorinë e Policisë së qarkut të Shkodrës dhe Komisariatet e policisë së Shkodrës, Dibrës, Bulqizës, Matit, Malësisë së Madhe dhe Mirditës, në masën 10 mijë lekë;
Në drejtoritë e Policisë dhe komisariatet e qarqeve të tjera, në masën 5 mijë lekë.
Vendimi parashikon edhe dhënie pagë për bashkëshortët e papunë si rrjedhojë e transferimit të punonjësit të policisë.
Vendimi parashikon edhe masa shpërblimi për punonjësit për punë cilësore.
Kjo është një masë e rëndësishme që do të motivojë më mirë punën e personelit të transferuar në këto zona, për shkak të nevojave të punës e shërbimit për vendosjen e rendit dhe të sigurisë publike si dhe parandalimin e zbulimin e personave të inkriminuar.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin: "Për përcaktimin e kushteve, të personave dhe sasisë së nevojëshme të karburantit për përdorimin nga anijet e peshkimit''.
Në vendim përcaktohet ngritja, në portet e peshkimit të Durrësit, të Vlorës dhe të Sarandës, brenda zonës doganore, të stacioneve të shitjes së gazoilit (diezel), për anijet e peshkimit, të liçensuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Gjithashtu, vendimi përcakton që tregtimi i karburanteve për furnizimin e anijeve të bëhet vetëm nga persona juridikë, të pajisur me lejë përkatëse, në përputhje me ligjin nr.8450, dt. 24. 2. 1999, "Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit e nënprodukteve të tyre''.
Në vendim përcaktohet gjithashtu që përcaktimi i firmës furnizuese të gazoilit të bëhet me tender.
Këshilli i Ministrave adoptoi disa vendimin për miratim marrëveshjesh: "Për miratimin e Marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë, për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë''.
"Për miratimin, në parim, të Marrëveshjes së përgjithshme të bashkëpunimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite".
"Për miratimin e Marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjelltë të investimeve".
"Për miratimin në parim, të Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Rumanisë, për bashkëpunimin dhe asistencën e ndërsjelltë administrative në çështjet doganore".
Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të disa Komunave si dhe Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes.
U miratua vendimi "Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Komunës Voskop"
"Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Komunës Golem"
"Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Komunës Dushk" të Qarkut Fier.
"Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Komunës Barbullush".
Po kështu u miratua vendimi "Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes".
U miratua vendimi "Për kalimin e sh.a "Tipografia ushtarake" nga varësia e Ministrisë së Mbrojtjes në varësi të pushtetit vendor dhe Decentralizimit".
U miratua udhëzimi "Për kërkesat e dokumentacionit, ligjor dhe teknik, që duhet të përmbajë dosja e Digave dhe Dambave".
Një nga dokumentacionet ligjore dhe teknike, është edhe krijimi i dosjes së digës-dambës dhe dokumentacionet që duhet të përmbajë çdo dosje për digat-dambat, që do të ndërtohen të reja, që janë në shfrytëzim dhe për digat-dambat ekzistuese në të cilat do të kryhen punime riparimesh, përmirësimesh ristrukturore apo studime të ndryshme.
Për realizimin e detyrave të ngarkuara, lindi nevoja e hartimit të këtij akti nënligjor, nëpërmjet të cilit përcaktohen detyrat dhe të drejtat, funksionet, përgjegjsitë midis vetë organizmave dhe marrëdhëniet e tyre me pronarët dhe shfrytëzuesit e këtyre veprave të rëndësishme me synimin e krijimit të arkivës teknike me dokumentacionet e përcaktuara për projektimin, ndërtimin, shfrytëzimin, dhe mirëmbajtjen e digave-dambave, kundrejt të gjitha rregullave teknike për të arritur atë që është si kusht i domosdoshëm, "Sigurimi i Digave dhe Dambave".
Hartimi i kësaj dosjeje, bëhet i nevojshëm për faktin e krijimit të arshivës teknike me minimumin e të dhënave, për të bërë të mundur, analizën e gjëndjes faktike dhe atë në rastet e jashtëzakonshme.