E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Lordin Xhorxh Robertson sëbashku me Këshillin e Ambasadorëve të NATO-s. Gjatë këtij takimi Kryemini

Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Lordin Xhorxh Robertson sëbashku me Këshillin e Ambasadorëve të NATO-s.

Gjatë këtij takimi Kryeministri Nano ka bërë një pasqyrë të hapave të ndërrmarra nga Qeveria Shqiptare për kryerjen e reformave integruese.

"Kam kënaqësinë të theksoj nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes NATO-s dhe Shqipërisë. Këto marrëdhënie po forcohen nga dita në ditë dhe kanë si objektiv të tyre anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në strukturat e Aleancës së Veriut", tha Kryeministri Nano duke shtuar se - Kjo përpjekje e Shqipërisë në rrugën e integrimit Euro-Atlantik është një punë institucionale, që në vitet e fundit ka angazhuar një numër shumë të madh njerëzish, strukturat e Ekzekutivit dhe të Legjislativit shqiptar, spektrin politik, shoqërinë civile etj.

"Ne jemi thellësisht të angazhuar në procesin e integrimit Euro-Atlantik, sepse kjo është rruga e vetme që ne shohim për të ardhmen e vendit tonë; si pjesë e vlerave dhe institucioneve moderne Euro-Atlantike. Për këtë arsye ne jemi duke thelluar të gjitha reformat që përafrojnë standartet tona me ato të Bashkimit Europian" tha z. Nano.

Me integrimin Euro-Atlantik dhe anëtarësimin në NATO- tha Kryeministri -ne kuptojmë zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe demokratik me një funksionim normal të ekonomisë së tregut, një politikë të jashtme moderne dhe të moderuar, ashtu sikurse dhe ristrukturimin e forcave tona të armatosura drejt një force interaktive, e aftë të japë kontributin e saj në misionet e NATO-s, sikurse është duke bërë. "Aktualisht ne jemi aktivë në të gjitha programet e NATO-s".

Gjithashtu Kryeministri ka bërë një pasqyrë të situatës dhe zhvillimeve në vend duke theksuar se të gjitha forcat politike janë shprehur në favor të reformave që ne kemi ndërmarrë. "Në procesin e rrugës së anëtarësimit në NATO ne kemi mbështetjen edhe te opinionit publik, i cili nuk është lëkundur asnjëherë përballë vështirësive të panumërta që kemi hasur".

Lidhur me arritjet në fusha të ndryshme të politikës së brendshme Kryeministri Nano ka përmendur se: "Një nga prioritetet e Qeverisë që unë drejtoj është lufta kundër krimit të organizuar dhe ekonomisë informale, një luftë që ne duhet ta fitojme si një kusht kryesor për të ndërtuar ekonominë e tregut".

Kryeministri i Shqipërisë theksoi edhe progresin e bërë në reformat që ndihmojnë në forcimin e autoritetit të ligjit në të gjithë spektrin e tij, forcimin e kapaciteteve te administratës publike shqiptare dhe përmirësimin efektiv të aktivitetit të Policisë së Shtetit dhe sistemit të gjyqësorit.

Lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit janë disa nga sfidat tona, tha z. Nano duke shtuar se- Ne kemi nënshkruar një sërë Marrëveshjesh ndërinstitucionale lidhur me këtë çështje duke synuar t'i përgjigjemi krimit të organizuar me një drejtësi të organizuar.

Duke u ndalur në zhvillimet rajonale dhe rolin e Shqipërisë në këtë drejtim Kryeministri tha "Sot i gjithë rajoni i Ballkanit përballet me një situatë e cila është cilësisht e re. Të gjitha Qeveritë dhe Parlamentet janë zgjedhur në mënyrë demokratike, gjë që ka krijuar kushtet për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit tonë. Shqipëria vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm si një moderatore në këto marrëdhënie".

Qeveria e Shqipërisë-theksoi Kryeministri shqiptar- është e hapur për bashkëpunim me strukturat respektive të Aleancës dhe me vendet e tjera fqinje në frymën e angazhimit të definuar nga Konferenca Ndërkombëtare për Menaxhimin dhe Sigurinë e Kufijve e mbajtur në Maj në Ohër.

Nga ana e tij Lordi Xhorxh Robertson ka konfirmuar në këtë takim faktin se Shqipëria konsiderohet si një qendër mjaft e rëndësishme dhe si faktor stabiliteti në rajon. Ai shprehu kënaqësinë për të ofruar ndihmën për një anëtarësim sa më të shpejtë të Shqipërisë në NATO.

Ambasadorët e Aleancës së Atlantikut dëgjuan me mjaft interes prezantimin e bërë nga Kryeministri Fatos Nano lidhur me hapat që ka ndërrmarrë dhe po ndjek Qeveria e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit Euro-Atlantik dhe të anëtarësimit në NATO.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›