Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në përurimin e investimeve të reja të bëra nga AM Group, përkatësisht në përfundimin e punimeve të ndërtim montimit të reparteve të përgatit
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në përurimin e investimeve të reja të bëra nga AM Group, përkatësisht në përfundimin e punimeve të ndërtim montimit të reparteve të përgatitjes, presimit dhe ekstraksionit të kompleksit "Olim" si dhe në fillimin e punimeve për ndërtimin e kullës së atomozimit dhe fabrikës së sulfonimit në kompaninë "Deka", e cila do të modernizojë prodhimin e detergjentëve.
Ky investim me teknologji moderne kap vlerën prej 5 milionë euro. Më pas Kryeministri Nano ka zhvilluar një vizitë në repartet e prodhimit të vajit dhe të detergjentëve të AM Group, duke parë nga afër mënyrën e prodhimit dhe teknologjinë bashkëkohore të përdorur.
Në ceremoninë e përurimit të këtyre investimeve të reja merrnin pjese edhe ambasadori italian, ambasadori turk, Ministri i Ekonomise Arben Malaj, Ministri i Bujqesise dhe Ushqimit Agron Duka,perfaqesues te biznesit etj.
Kryeministri Fatos Nano ne fjalen e tij pershendetese u shpreh:
Kam kënaqësi të veçantë të përshëndes publikisht punën dhe arritjet e kompanisë AM Grup, një kompani pionere në fushën e saj, pjesë e një realiteti që sa vjen e zgjerohet.
Fakti që sipërmarrësit privat shqiptar, me iniciativën e lirë të mbrojtur nga ligji, kanë arritur në këto nivele investimi për një periudhë relativisht të shkurtër, është një provë se klima për sipërmarrjen legale ka marrë dimensionet legale dhe të konkurrimit në realitetet bashkëkohore, ajo po bëhet e krahasueshme me sipërmarrjen dhe tregjet e vendeve më të zhvilluara. Gjej rastin të përgëzoj iniciativen dhe guximin e drejtuesve dhe pronarëve të AM Grup për larminë e biznesit që kanë zgjedhur duke ju përshtatur kërkesave të tregut të brendshëm dhe duke na dhuruar edhe një zgjidhje arkitekturore moderne dhe mjedise të kulturuara të punës. Fakti që sot në këto aktivitete të shumëllojshme janë punësuar 700 njerëz, fakti që nga ky aktivitet mbulohen 70% të nevojave të tregut për detergjentë me 28 lloje të ndryshme përmes 35 distributorëve; fakti që nga ky aktivitet me anë të vajit "Olim" mbulohen 50 % të po këtyre nevojave, është përgjigja më e mirë se vetëm me anë të nxitjes së vazhdueshme të sipërmarrjes së lirë do të mund të ulim në mënyre reale jo vetëm papunesinë por në këtë mënyrë do të ballancohet edhe zhvillimi ekonomik duke u bërë më i qëndrueshëm, do të zëvendësohen importet dhe do të zhvillohen aftësitë tona konkuruese, në procesin e integrimit, në tregjet rajonale dhe globale.
Sfida e përballimit të konkurencës bashkëkohore perëndimore, tashmë pjesë e psikologjisë së stafit të respektuar menaxhues të AM Grup, na ka sjellë të gjithëve këtu për të inauguruar së bashku fillimin e punimeve për këto linja të reja bashkëkohore që i shtohen kësaj teknologjie moderne të prodhimit të detergjentëve.
Une kam kënaqësine të jem këtu për të përuruar teknolgji të reja dëshmi të ambicjes, aftësisë dhe suksesit të biznesit tuaj, për të cilin ju uroj të ecni gjithmonë përpara, duke dhënë sëbashku edhe provën e një psiokologjie të re që po krijojmë me partneritetin e shtetit me biznesin.
Qeveria është e vetëdijshme se zhvillimi i sipërmarrjes private kërkon mbështetjen ligjore dhe angazhimin e administratës shtetërore për respektimin e rregullave të ekonomisë së tregut dhe për përmirësimin e mëtejshëm të normave dhe standarteve të konkurencës. Nga ana tjetër sipërmarrja private serioze si kjo përbën një realitet i cili ushtron presionin e vet pozitiv mbi shtetin dhe politikën, për stabilitet, rregulla loje, integrim dhe mirëqënie.
Qeveria që unë drejtoj po punon me ritëm që të formalizojë dhe zgjerojë hapësirat ligjore që do të nxisë dhe më tej mundësitë e tyre të medha investuese. Në mbështetje të këtyre rrugëve legale të sipërmarrjes na duhet të vazhdojmë të ndryshojmë legjislacionin dhe mentalitetin duke menduar më mirë për krijimin dhe zbatimin e më shumë lehtësirave, iniciativa financiare bankare dhe fiskale, thjeshtimin e procedurave në dhënien e licencave dhe lejeve për ushtrimin e veprimtarive private. Besoj se në këtë rrugë duhet të vazhdojmë të nxisim sëbashku sipërmarrjen kompetitive, duke reduktuar edhe mundësitë e kërcënimit të saj nga korrupsioni dhe veprimet abuzive.
Më lejoni edhe njëherë të përgëzoj iniciativat e njëpasnjëshme të AM Grup për zgjerimin e biznesit dhe të uroj këta sipërmarrës bashkëkohorë për suksese të mëtejshme.
Pune te mbare !