Djegia e Kuranit në Afganistan, NATO kërkon falje
Komandanti amerikan i trupave të NATO-s në Afganistan ka kërkuar falje për djegien e disa kopjeve të Kuranit nga trupat e saj.
Në një deklaratë për mediat, Gjenerali John R Allen, ka kërkuar një hetim të plotë në lidhje me ngjarjen.
Sapo mësuam për këtë veprim, ndërhymë menjëherë për ta ndaluar, tha ai.
Zërat se kopje të Kuranit janë djegur çuan në një protestë të gjerë përpara bazës amerikane në Bagram, 60 km në veri të Kabulit. Sipas BBC-së, policia vendase është shprehur se të paktën 1000 persona kanë marrë pjesë në protestë, ndërsa disa përfaqësues të tyre kanë kërkuar takim me zyrtarët e NATO-s atje.
Sipas policisë afgane, librat e shenjtë ndodheshin në një ngarkesë mbeturinash, të cilat trupat e NATO-s po i transportonin me kamion drejt një vendgrumbullimi ku digjen mbeturinat.
Procesi i djegies së mbeturinave është ndërprerë menjëherë sapo 5 afganë që punonin në vendin e grumbullimit i kanë vënë re librat.
Gjenerali Allen u shpreh se do të nisë një hetim, i cili do të zbulojë nëse trupat në Bagram kanë djegur në mënyrë të paligjshme materiale që i përkasin fesë islame, duke përfshirë këtu Kuranin.
Kemi nisur hetimin dhe ju premtoj se kjo nuk do të ndodhë më. Ju siguroj se nuk ka qenë aspak e qëllimshme, tha ai, duke kërkuar falje për çdo lloj ofendimi që mund ti jetë shkaktuar popullit fisnik të Afganistanit.
Talebanët dhe grupe të tjera në vend janë akuzuar shpeshherë për përhapjen e lajmeve të tilla që nxisin dhunën.
Vitin e kaluar, 10 trupa të Kombeve të Bashkuara u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në protestat që shpërthyen pas djegies së Kuranit në Florida nga disa predikues të krishterë. / Përgatiti: Gazmira Ndoja