Festimet e shqiptarëve për 100-vjetorin e Pavarësisë, kapërcejnë kufijtë
Aktivitete të reja të ambasadave shqiptare në SHBA, Danimarkë, Finlandë dhe Zvicër
Ambasadat shqiptare në vende të ndryshme të botës po organizojnë aktivitete festive në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë, me synim për të promovuar vlerat dhe traditat e vendit tonë. Ditët e fundit, aktivitete të tilla janë zhvilluar në Nju Jork të SHBA, në qytetin Pori të Finlandës, në Kopenhagen të Danimarkës, dhe në Bernë të Zvicrës.
Konsullata e Përgjithshme në Nju Jork ka zhvilluar dy aktivitete: Shfaqje e filmit amerikano-shqiptar, Falja e Gjakut si dhe Koncerti i Muzikës klasike me artistë profesionistë dhe talente të reja. Me 18 Shkurt 2011 në “American Theater”, u shfaq filmi shqiptaro – amerikan “Falja e Gjakut”, fitues i një sërë çmimesh ndërkombëtare. Ky aktivitet mblodhi përfaqësues të spikatur të komunitetit shqiptar në SHBA, drejtues shoqatash, organizatash e figura publike. Në këtë prezantim morën pjesë regjisori i filmit Joshua Martson, skenaristi Andamion Murataj, aktori i njohur Çun Lajçi si dhe dy aktorët protagonistë, Tristan Halilaj dhe Sindi Laçej. Filmi “Falja e Gjakut” do të shfaqet për publikun e gjerë në datën 24 Shkurt 2012 dhe nisur nga qëndrimet e deritanishme të kritikës pritet të ketë një sukses të jashtëzakonshëm. Po më 18 Shkurt 2011, në Manhattan, Nju Jork, u organizua “Koncerti i Muzikës Klasike me Artistë Profesionistë dhe Talente të Reja”, një bashkëpunim i Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork me televizionin e diasporës Alba Life, ku të pranishëm ishin përfaqësues të komunitetit shqiptar, trupi diplomatik, përfaqësues të klubeve të artit, drejtues të komuniteti, etj. Në këtë koncert interpretuan artistë të njohur shqiptarë si, Petrika Melo, Lindita Mezini, Magi Dizdari, Entela Barçi, Gjilberta Gelaj si dhe Bledar Maqellara, Kristina Melo, Dea dhe Ina Stafanllari, cilësuar si talentet e reja shqiptare. Konsullata e Përgjithshme në Nju Jork në bashkëpunim me diasporën shqiptare ka përgatitur një program të gjerë aktivitetesh për festimet e vitit jubilar, që do të kulmojnë me festimin e 100 vjetorit të Federatës Panshqiptare “VATRA” dhe të Ditës së Pavarësisë.
Pori, Finlandë
Në kuadrin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin Pori të rajonit Satakunta, Finlandë u hap ekspozita fotografike “Marubi”. Në ceremoninë e hapjes, ku merrnin pjesë të ftuar nga fusha e artit, shtypit si dhe miq të Shqipërisë, Konsullja e Përgjithshme e Nderit, Liliana Verdha, foli për historinë e popullit tonë, luftrat e përpjekjet për liri, pavarësi dhe për një Shqipëri të lirë e demokratike. Ajo gjithashtu u ndal në luftën e përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e pavarësi, të cilat u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë së saj në 17 shkurt 2008. Ekspozita “Marubi”, e sjellë në Finlandë nga “Muzeu Finlandez i Kulturave Botërore” do të qëndrojë e hapur në Muzeun e qytetit Pori, deri më 15 Prill 2012.
Danimarkë, Kopenhagen
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Danimarkë, Arben Cici prezantoi në datën 16 shkurt 2012, turizmin shqiptar në Shkollën e Bisnesit të Kopenhagenit. Prezantimi u shoqërua me pamje dhe video mbi potencialet natyrore që ka Shqipëria në fushën e turizmit dhe përspektiva e zhvillimit të tij në vitet në vazhdim.
Ambasadori u ftua të bënte këtë prezantim nga profesori Allan Xenius Grige, lektor i Qendrës për Menaxhimin e Turizmit dhe Kuturës të CBS-it, njohja me të cilin ishte bërë gjatë Panairit të Turizmit dhe Udhëtimeve në Bella Center, ku Ambasada u përfaqësua me stendën e saj dhe hapi siparin e aktiviteteve të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Në këtë aktivitet prezantoi përvojën e tij të suksesshme të investimit në fushën e turizmit në Shqipëri edhe Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Danimarkë, z. Hans George Nielsen.
Bernë, Zvicër
Ambasada e RSH në Bernë, në bashkëpunim me shoqatën “Miqtë e Yad Vashem” dhe me Muzeun Kombëtar të Liechtensteinit, organizuan në datën 15 shkurt 2012 në kryeqytetin e vendit, Vaduz, aktivitetin “Mbrëmje për Shqipërinë”. Mbrëmja e organizuar në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u zhvillua në mjediset e Muzeut Kombëtar ku vazhdon të jetë e hapur ekspozita “Besa”.
Prof. Dr. Rainer Vollkommer, Drejtor i Muzeut Kombëtar të Liechtensteinit, ka qenë në Shqipëri ne vitin 1989, si pjesëmarrës në një ekspeditë arkeologjike. Ai foli për lashtësinë e Shqipërisë mbështetur në burimet e pasura arkeologjike dhe për karakterin shqiptar. Gjatë mbrëmjes u shfaq edhe një film dokumentar, që Prof. Vollkommer dhe bashkëpunëtorët kishin përgatitur pas kthimit nga Shqipëria, ku dëshmohej lashtësia, vlerat arkeologjike dhe historike të vendit tonë.
Ndër të tjera Ambasadori i RSH-së në Bernë, Mehmet Elezi, ftoi pjesëmarrësit për ta vizituar vendin si turistë dhe më pas për të investuar në Shqipëri. Veprimtaria u pasqyrua edhe me fotografi në shtypin vendas dhe në shtypin shqiptar që botohet në Zvicër, si në gazetat Fakti Ditor, Tung–CH, në rrjetin elektronik alb-info etj.