Rama t’u kërkojë falje shqiptarëve - të shkëputet nga e kaluara dhe të distancohet nga krimet komuniste

Deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli e cilësoi kryesocialistin Edi Rama si pinjoll të nomenklaturës, i cili ende s’u ka kërkuar falje shqiptarëve për firmat vrasëse të atit të tij biologjik, Kristaq Rama
Partia Demokratike e cilësoi 20 shkurtin si ditën më të rëndësishme të demokracisë, ditën e fitores mbi regjimin diktatorial. Selia blu reagoi përmes deputetit Fatbardh Kadilli, në lidhje me deklaratat e kreut të opozitës, Edi Rama për 21-vjetorin e rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha.
“Për shqiptaret 20 shkurti është dita e madhe. Është dita e demokracisë, është dita e fitores mbi diktaturën. Ne e kujtojmë me krenari. Shqiptarët ia bëjnë ketë apel Ramës që të shkëputet nga e kaluara, të distancohet nga krimet mizore të bllokut”, u shpreh Kadilli. Sipas tij, Rama duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve, për varjen e poetit Avzi Nela, që e dënoi Fehmi Abdiu dhe e firmosi Kristaq Rama.
“Për Edvin Ramën kjo ditë do të ishte rasti i pendesës, do të ishte mundësia për t’i kërkuar falje shqiptarëve. Të kërkojë falje për varjen e poetit Avzi Nela, që e dënoi Fehmi Abdiu dhe e firmosi Kristaq Rama. Kjo ditë është një rast tjetër i humbur për zotin Rama për të kërkuar falje. Sot kur shqiptarët i kërkojnë që të pendohet, sot ai përditë e me shumë po mbledh rreth vetes persekutorët e diktaturës”, deklaroi më tej, deputeti demokrat Kadilli.