E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edi Rama urdhëroi deputetët të mos shkelnin në Shtabet e Emergjencës

21-02-2012 / Gazeta 55

Banorët e bllokuar nga bora, nga 800 mijë që ishin në fillim të muajit, aktualisht janë vetëm 18 mijë

Kryeministri informoi qytetarët në lidhje me situatën aktuale në të gjitha qarqet e emergjencës si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, përgjatë disa ditëve. Sipas Berishës, situata emergjente u përballua me sukses, ndërsa vlerësoi se ky ka qenë operacioni i emergjencës më masive në historinë e vendit, i shtrirë nga Alpet e veriut gjer në vargmalet e juglindjes së vendit.
Kryeministri tha se nga 800 mijë banorë të bllokuar që ishin në fillim të këtij muaji, sot janë vetëm 15 mijë dhe po punohet për zhbllokimin e të gjithë fshatrave të izoluar nga dëbora.
“Dua të falënderoj qytetarët e këtyre qarqeve, qeveritë vendore, juve, zotërinj deputetë dhe strukturat e institucioneve qendrore në këto qarqe dhe në qendër, për angazhimin e tyre të plotë dhe efiçent, në përballimin e një situate të pa precedent, së paku, në 27 vitet e fundit.  Ky ka qenë operacioni i emergjencës më masive në historinë e vendit, i shtrirë nga Alpet e veriut gjer në vargmalet e juglindjes së vendit. Dua të theksoj se në një kohë rekord janë realizuar lëvizje dhe heqje të milionave metër kub dëbore, nga rrugët e këtyre qarqeve. Në fillim të dhjetëditëshit të dytë të shkurtit kanë qenë të bllokuara rrugë kombëtare, rurale dhe komunale mbi pesë mijë kilometra. Kanë qenë të bllokuara nga reshjet intensive të dëborës 106 komuna dhe bashki të vendit. Në një operacion të pandërprerë dhe intensiv  janë zhbllokuar  në tërësi, përveçse pak kilometrave, të gjitha akset kombëtare rrugore, në të katër anët e vendit. Janë zhbllokuar dhe është garantuar kalueshmëria në rreth afërisht 4 mijë kilometra rrugë. Janë nxjerrë nga izolimi rreth 90 komuna dhe bashki. Përsëri janë në izolim komunat e Shalës, Shoshit, Vermoshit, Pultit pjesërisht, Temalit pjesërisht, po ecet drejt Lekbibajt, Grykëçajit, Arrën, Reçit, Selishtës, komuna këto të qarkut të Peshkopisë, janë komuna në Gramsh, Poliçan dhe tre komuna të tjera. Por, në rast se një javë më parë ishin rreth 800 mijë banore të rrethuar dhe të bllokuar nga dëbora, numri  i banorëve sot është realisht jo më shumë se 15 mijë, në të gjitha komunat. Sot po bëhet punë e jashtëzakonshme që të mund të arrihet në komunën e Reçit, në komunën e Selishtës, të mund të ecet më shpejt drejt Lekbibajt, Kelmendit, Temalit, pra, në ato komunave, ku ende nuk është arritur në qendër”, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha gjithashtu se deputetët të opozitës nuk kanë shkuar aty ku ishte emergjenca pasi i ndaloi Rama, ndërkohë që qeveria kreu fluturime për të shpërndarë pakot me ushqime dhe ndihma mjekësore, atëherë kur kryesocialisti bënte statuse në Twitter.
“Shpreh dhimbjen time që, në disa qarqe që unë vizitova, më raportuan në shtabin e emergjencës se asnjë deputet i  PS-së nuk i kishte vizituar. I garantoj qytetarët shqiptarë dhe anëtarët e PS-së, të PD-së dhe ata pa parti, se kjo nuk ka ndodhur ngaqë ata nuk kanë dashur. Jo! Unë i njoh fare mirë dhe këtë vendim, ata nuk mund ta merrnin, por, absolutisht, kjo ka ndodhur mbi bazën e një urdhri absurd, të dhënë nga kryetari i tyre: Mos guxoni të shkelni në shtabet e emergjencës! Kjo, dua ta theksoj këtu, nuk mund të quhet ndryshe veçse absurd. Megjithatë dhe njëherë theksoj se ata nuk kanë munguar në këto takime dhe në këto mbledhje se nuk kanë dashur. Tjetër është të ligjërosh në televizor, të sulmosh orë të tëra në ekrane apo të bësh ciu - ciu 5 herë në ditë dhe tjetër është të shkosh dhe të prekësh me dorë ata njerëz, që në shumë momente kanë dëshmuar burrëri, trimëri, përkushtim të madh. Në të gjitha komunat janë dërguar pakot e ndihmës mjekësore, me të gjithë medikamentet për rastet akute dhe kronike, sipas patologjisë së raportuar nga qendra shëndetësore. Janë transportuar me helikopterë dhe mjete të tjera  79 urgjenca dhe nuk ka mbetur qoftë edhe një njeri i vetëm që nuk ka marrë trajtimin si urgjencë, në çfarëdo lloj rrethane që të jetë gjetur. Ekipet e helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes kanë bërë fluturime në situata nga më të vështirat, kudo që janë thirrur dhe kanë evakuuar dhe ndihmuar të sëmurët. Një kujdes i veçantë është bërë për nënat shtatzëna në muajin e paralindjes dhe kjo ka funksionuar shumë mirë”- tha ai. Sipas kryeministrit, situata po shkon drejt stabilizimit të plotë si në qarkun e Korçës, por po kështu edhe në veri të vendit. Berisha tha se ky dimër i veçantë për gjysmë shekullin e fundit testoi funksionimin e institucioneve dhe administratës shtetërore vendore dhe qendrore. “Test, i cili u kapërcye me seriozitet të madh. Ushtria ka vënë në dispozicion mjete të shumta tokësore dhe ajrore, mbi 350 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë, të cilët kanë punuar në zonat më të vështira dhe me sukses të plotë. Po kështu, Policia e Shtetit, Rezerva e Shtetit, Emergjenca Civile”, theksoi më tej, kryeministri Berisha. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›