E Diel, 1 Nëntor 2026

Djegia e flamurit maqedonas në Prishtinë, Shkupi kërkon uljen e tensioneve

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka reaguar pas raportimeve për djegien e flamurit të këtij shteti, disa ditë më parë, në një ndeshje futbolli në Prishtinë, nga ana e tifozëve.
Shkupi zyrtar thekson se në këto momente të ndjeshme çdo hap që ndërmerret duhet të jetë në drejtim të uljes së tensioneve ndëretnike, e jo të nxitjes së mëtejshme të tyre. Ndërsa Zyra për Komunikim e Maqedonisë në Prishtinë ka kërkuar nga zyrtarët e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore ndaj autorëve të veprës penale. "Besimi i ndërsjellët dhe respekti ndërtohen në afat të gjatë dhe çdo palë duhet të kontribuojë në këtë drejtim. Nga Kosova, si shtet më i ri në rajon pritet që në situata të tilla të demonstrojë kapacitet dhe aftësi, që të veprojë në mënyrë adekuate në drejtim të ndërtimit të marrëdhënieve ndër fqinjësore dhe zhvillimit të stabilitetit rajonal", thuhet në komunikatën e MPJ-së së Maqedonisë.
Edhe politika maqedonase ka dënuar këtë akt dhe kërkon nga zyrtarët e Kosovës që të distancohen nga ky akt. "Vlerësojmë se bëhet fjalë për rast të izoluar i cili nuk guxon të ndikojë në marrëdhëniet pozitive mes dy vendeve dhe nuk guxon të keqpërdoret në kontest ndëretnik të brendshëm", thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Por BDI thekson se nuk duhet nënçmuar asnjë flamur i cilido shteti, por se në këtë drejtim hap i parë që duhet ndërmarrë është tërheqja e enciklopedisë, pasi ishte ajo që i nxiti veprimet e tilla.
Për momentin nuk ka reagime nga zyrtarët e Kosovës lidhur me incidentin e djegies së flamurit të Maqedonisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›