Thaçi: I kënaqur me lobingun në OKB
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka lëvduar aktivitetin diplomatik lobues për Kosovën në Neë York, të zhvilluar nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ndërsa opozita kritikon institucionet për diplomaci pasive në këtë drejtim. Thaçi, siç bën të ditur "Radio Europa e Lirë", ka thënë se, presidenti dhe ministri i Jashtëm kanë prezantuar Kosovën me sukses dhe si rezultat i këtij lobimi janë premtuar edhe njohje të reja. "Unë dua të besoj në qëndrimet, të cilat i ka prezantuar presidenti nga takimet që ka pasur me lidershipin botëror, nga presidenti Obama dhe liderët tjerë botërorë - kanë qenë takime që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës", është shprehur ai. Nga ana tjetër, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka deklaruar se qeveria dhe presidenti, në vend të aktiviteteve ditore diplomatike, kanë zgjedhur një diplomaci më pasive, duke pritur takime apo forume ndërkombëtare, të cilat, ndonëse konsiderohen të rëndësishme, sipas Arifit, nuk i përmbushin kërkesat e Kosovës, e cila ka nevojë për numër më të madh njohjesh. "Nuk ka punë sistematike të lobimit, nuk ka sistem lobues. Qeveria e Kosovës dhe i tërë aktiviteti lobues kryesisht mbështeten në aktivitetin e miqve tanë ndërkombëtarë. Kundërshtarët e pavarësisë nuk janë aq të ligë dhe përderisa ata janë aktivë në baza ditore, aktiviteti ynë kryesisht është i përqendruar në konferenca të llojit siç është Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara", tha Arifi.
Ndërkohë, kryeministri Thaçi ka thënë se puna e qeverisë dhe institucioneve në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e shkallës së demokracisë në vend, do të jetë lobimi më i mirë për Kosovën.
Ndërkohë, kryeministri Thaçi ka thënë se puna e qeverisë dhe institucioneve në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e shkallës së demokracisë në vend, do të jetë lobimi më i mirë për Kosovën.