Djegia e transformatorit, nga mungesa e vajit

Gramozi- Real
Prokuroria nis grumbullimin e dokumenteve për ngjarjen e "Black Out"-it në stadium
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka vendosur të regjistrojë procedimin penal lidhur me skandalin e fikjes së dritave në stadiumin "Qemal Stafa" kur po luhej ndeshja Gramozi-Real Madrit.
Procedimi është regjistruar vetëm për dyshimin e kryerjes së veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës" dhe jo me emra konkrete. Aktualisht hetuesit mësohet se janë duke verifikuar praktiken e ndjekur nga drejtuesit e stadiumit në ndeshjet e kaluara, si dhe në ndeshjen kur u shfaq skandali.
Gjithashtu, mësohet se në skanerin e prokurorisë po kalojnë të gjitha kontratat e firmosura nga kompania organizative e kësaj ndeshjeje, stadiumit dhe OSSH-së, nga të cilat pritet të nxirren emra konkrete që kanë përgjegjësi për mos marrjen e masave gjatë zhvillimit të ndeshjes. Mësohet gjithashtu se po punohet në verifikimin e rregullores së stadiumit dhe mënyrës së menaxhimit të tij për një kohë të gjatë.
Ndërkohë, sipas ekspertëve të prokurorisë, transformatori që u dogj në stadiumin "Qemal Stafa", nuk ishte diagnostikuar periodikisht për gjendjen e vajit, dhe në këtë mënyrë nga nxehja tej mase e tij, ai ka shpërthyer duke futur të "Black Out" për 1 orë e 30 minuta ndeshjen miqësore Gramozi-Real Madrid.
Vaji është përcaktues për gjendjen e transformatorit, dhe në praktikën e diagnostikimit të gjendjes së vajit në të, bëhet një vlerësim shumë më i hollësishëm i gjendjes së vajit, i cili jep informacionin e vlefshëm për të gjykuar rreth shëndetit të transformatorit.
Një gjë e tillë vjen nga fakti se vaji siguron izolimin, ftohjen, dhe është tretës i gazeve që çlirohen nga degradimi i vetë vajit, gazeve dhe lagështirës së izolimit , si dhe gazeve dhe lagështirës nga atmosfera ndaj së cilës transformatori është ekspozuar.
Një nga diagnostikimet më efikase për të gjykuar mbi gjendjen e transformatorit, e cila rezulton të mos jetë kryer nga punonjësit e stadiumit është analiza e gazeve të tretur në vajin e tij.
Sipas ekspertëve kjo analize bën të mundur zbulimin e dëmtimeve në fazën fillestare të lindjes së tyre, duke zvogëluar kështu kohën dhe shpenzimet për nxjerrjen jashtë përdorimit të transformatorit.