E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësi: Dhëndri, donte të linte vajzën

Albert Dashi, akuzohet se vrau me pistoletë të dielën pasdite të dashurin e mbesës, Armando Hasanin

Njeriu i akuzuar për vrasjen e të dielës në kryeqytet, pretendoi se kishte dashur vetëm të trembte viktimën e jo ta vriste

TIRANE- "Nuk doja ta vrisja Armando Hasanin, të dashurin e mbesës, por vetëm ta kërcënoja që ai të mos e linte vajzën sepse dyshonim se ai nuk donte të martohej me të".

Këtë fakt pretendoi dje në Gjykatën Tiranës, Albert Dashi, i arrestuar nga Policia e kryeqytetit të dielën në mbrëmje me 31 janar, disa orë pasi ai vrau me pistoletë në kokë, të dashurin e mbesës së tij, Armand Hasanin në rrugën "Qemal Stafa", pranë zonës së njohur si Xhamlliku, në kryeqytet.

Pretendimin e tij Dashi, e pohoi dje në gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, gjatë vlerësimit të masës së arrestit ndaj tij, në lidhje me vrasjen e Armando Hasanit e ndodhur pasditen e të dielës në kryeqytet.

Për kundër pretendimit të tij, dyshimet e policisë pas ngjarjes ishin se autori i dyshuar i vrasjes, Albert Dashi, nuk dëshironte që i vrari, të lidhej e të jetonte me mbesën e tij, e cila prej gati disa muajsh, ishte larguar nga shtëpia e prindërve të saj dhe bashkëjetonte me Armand Hasanin, në një banesë të marrë me qera prej tyre në afërsi të Kodrës së Priftit.

Një pretendim të tillë e ka pohuar edhe vajza me të cilën Hasani, bashkëjtonte prej kohësh dhe tashmë ishin thuajse të martuar. Ndërkaq dje përpara gjyqtarit të masave, Albert Dashi pretendoi të kundërtën. Madje ai i pohoi gjyqtarit se në kohën e ngjarjes ai kishte qenë i dehur. "Nuk kisha qëllim ta vrisja".

Unë kam qëlluar në ajër por nuk di se si ka ndodhur vrasja, pasi kam qenë i dehur,- vijoi argumentimin e tij i akuzuari, përpara gjyqtarit. Ndërkaq, prokurori i çështjes, pas provave të argumentuara prej tij, pohoi se Dashi, akuzohet për vrasjen me dashje të Armando Hasanit dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

Për krimin për të cilin dyshohet Hasani, prokurori kërkoi masën e arrestit me burg pa afat, ndërsa paraqiti si prova procesverbale të ndryshme të këqyrjes së vendit të ngjarjes, autopsisë, të armës, ato daktiloskopike dhe dëshmi të ndryshme.

Në të kundërt, avokati i të akuzuarit, kërkoi një masë më të lehtë për klientin e tij me pretendimin se në kohën e vrasjes ai kishte qenë i dehur. Pas paraqitjes së pretendimeve të palëve gjyqtari i gatshëm i masave vendosi ndaj 35 vjeçarit Dashi, masën e arrestit burg pa afat, sipas kërkesës së prokurorisë.

Sipas kësaj të fundit, të dielën padite rreth orës 16:30, Dashi, me një pistoletë në dorë, i ka prerë rrugën viktimës, ndërsa ka nisur ta kërcënojë atë dhe ta fyejë. Ndërsa palët kanë debatuar mes tyre, që Hasani të ndahej me mbesën e Albert Dashit, ky i fundit i ka vënë armën në kokë Hasanit, e më pas e qëlloi atë duke e lënë të vdekur.

Disa orë pas ngjarjes, policia bllokoi të dyshuarin në një banesë në afërsi të ish- ndërmarrjes "Rruga Ura", ku edhe e arrestoi me akuzën e vrasjes me dashje dhe të mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›