Ilaçet e Onkologjikut në farmaci private, nis hetimi

Prokuroria e Tiranës merr nën hetim ndihmës farmacistin e spitalit me dyshimin e shitjes nën dorë në farmaci private
Një pjesë e ilaçeve të spitalit këmbeheshin në një kompani private me të tjera që ishin më afër skadencës së tyre
TIRANË- Task- Force e prokurorisë së kryeqytetit, nis hetimet ndaj disa punonjësve të farmacisë së Spitalit Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", për abuzimin me medikamentet që jepen falas në spital.
Lajmi konfirmohet nga burimet e organit të akuzës dhe Gjykatës së kryeqytetit, e cila ka vendosur kontrollin e banesës së një prej të dyshuarve Isnih Bajrami, për të cilin ka edhe një masës sigurie me "detyrim paraqitjeje".
"Referuar materialeve kallëzuese të ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit të cilët kanë pranuar disa kallëzime të shtetasve të ndryshëm, institucioni i akuzës ka regjistruar procedimin penal me nr. 1601 në ngarkim të Isnih Bajramit, ndihmës farmacist i spitalit Onkologjik në QSUT.
Ndaj tij prokuroria ka ngritur dyshime për "korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "shpërdorimit të detyrës". Sipas prokurorisë, detyra funksionale e tij është shërbimi i medikamenteve si "taxoter", "zometa", "herceptine", "mapter", "avastine", "cisplatine", "manitol" etj, për pacientët që vuajnë nga probleme tumorale.
Sipas udhëzimit të drejtorisë së QSUT-së, këto barna shpërndahen falas për pacientët e shtruar në këtë repart, ku për çdo medikament të dalë nga farmacia duhet administruar me receta mjekësore nga i sëmuri ose i afërm i tij që duhet të jetë i shoqëruar gjithashtu edhe nga kryeinfermierja e repartit.
"Ndihmës farmacisti Isnih Bajrami dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e të sëmurëve, (nevojën ekstreme të tyre për tu trajtuar me barna të ndryshme), të ketë nxjerrë përfitime duke i dhënë barnat që jepen falas nga shteti kundrejt shumave të konsiderueshme parash.
Ky shtetas për të realizuar përfitimet e padrejta nga të sëmurët apo familjarët e tyre, paraqiste gjendjen e mungesës së barnave në farmacinë e spitalit dhe në këto rrethana u ofronte ndihmën e tij për t'ua gjetur dhe shitur me çmime të ndryshme",-thuhet nga prokuroria, e cila me vendim të gjyqtares Elona Stavri, ka caktuar masën e sigurisë "detyrim për paraqitje".
Gjithashtu, sipas akuzës, shtetasi Bajrami dyshohet se ka mundësuar ndërrimin e barnave për përdorim spitalor të farmacisë shtetërore me barna nga depo farmaceutike private të cilët ishin në kufijtë e skadencës kundrejt shpërblimit që përfitonte nga kompania private.
Mbi bazën e këtyre dyshimeve, organi i akuzës i ka kërkuar togave të zeza të cilët kanë miratuar vendimin për lejimin e kontrollit të banesës së këtij shtetasi, pasi janë ngritur dyshime të arsyeshme se i hetuari mban në banesë medikamente të destinuara për përdorim spitalor si dhe në farmaci (në ambientin ku është i punësuar) mban medikamente të ndërruara me kompanitë farmaceutike në kufij të skadencës"-thuhet në vendimin e gjykatës. Të pyetur për kontrollin, zyrtarët e prokurorisë së kryeqytetit nuk bëjnë të ditur rezultatin e këtij kontrolli, duke u mjaftuar me fjalët "çështja është nën hetim".
Gjithashtu, mësohet se të premten paradite, i dyshuari Bajrami është thërritur në prokurori për të dhënë versionin e tij mbi këto dyshime për akuzat e "shpërdorimit të detyrës" dhe "korrupsionin pasiv". Prokuroria konfirmon se hetimet mund të zgjerohen edhe në disa punonjës të tjerë në ditët në vazhdim, të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij në kryerjen e këtyre veprave penale.