E Shtunë, 31 Tetor 2026

Velipoja, ende nën ujë

SHKODËR - Velipoja vazhdon të jetë e vetmja komunë ku uji është akoma i pranishëm që prej përmbytjeve të fillimvitit. Në fshatrat Ças e Luarzë ka akoma sipërfaqe të konsiderueshme toke nën ujë.

Megjithatë, grupet e verifikimit të dëmeve vazhdojnë punën, ndërsa po punohet edhe për përforcimin e argjinaturës së Çasit, e cila ishte e dëmtuar nga përmbytjet. Sipas prefektit të Shkodrës, Maxhid Cungu, punimet në argjinaturë vazhdojnë për riparimin e saj dhe mbylljen e vendeve ku ajo ishte duke sjellë dhe vërshimin e ujit.

Ajo është ngritur 3,5 metra me një fond emergjent prej 20 milionë lekësh, ndërsa lartësia e saj do të jetë 6 m. Si pasojë e çarjes së argjinaturës së Çasit u përmbytën disa fshatra të komunës Velipojë, ku më të dëmtuarit ishin Çasi dhe Luarzi.

Kryekomunari Nikollë Marku thekson se aktualisht uji është bllokuar dhe se brenda një muaji ai mendohet se do të largohet plotësisht duke lënë të lirë një sipërfaqe të madhe toke, ndërsa prej tri ditësh është vënë në funksionim dhe hidrovori i Çasit. Deri tani janë verifikuar 948 banesa, 839 subjekte bujqësore, 904 subjekte blegtorale dhe 52 biznese.

Sindikatat: "Jo" largimit të shoferëve të autoambulancave

SHKODËR - Bashkimi i Sindikatave të Pavarura për Prefekturën e Shkodrës ka reaguar kundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për largimin nga puna të shoferëve të autoambulancave.

Sipas kryetarit të kësaj sindikate, Albert Tukaj, qeveria dhe ministri i Shëndetësisë, në emër të së ashtuquajturës reformë, po dëmtojnë shërbimin shëndetësor në një zonë mjaft të hapur gjeografikisht dhe me terren të thyer siç është qarku i Shkodrës.

Vendimi për largimin e shoferëve të autoambulancave është në kundërshtim me legjislacionin dhe këta punonjës kanë të nënshkruar kontrata trevjeçare me punëdhënësit dhe në këto kushte ata, duke iu drejtuar gjykatës, do të fitojnë të drejtën e tyre, tha Tukaj.

Sipas tij, aktualisht në një zonë me territor të hapur dhe popullsi jo të paktë, siç është Shkodra, janë në efiçencë vetëm 3 mjete autoambulancë me 6 shoferë, pasi 11 janë larguar pas urdhrit të ministrit Vasili. Nga të dhënat e marra në shërbimin spitalor , sipas Tukajt, me autoambulancat lëvizin 5-6 herë në javë drejt Tiranës për të dërguar të sëmurë atje, ndërsa dihet se një prej këtyre mjeteve është në dispozicion të të sëmurëve me dializë.

Tukaj ka kërkuar pezullimin e këtij urdhri nga dikasteri i shëndetësisë dhe ka garantuar mbrojtje sindikaliste për të larguarit nga puna. Kundër shkurtimit të vendeve të shoferëve të këtyre mjeteve janë shprehur dhe drejtuesit e spitalit rajonal të Shkodrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›