E Diel, 1 Nëntor 2026

Patos, zjarr në kopshtin me 150 fëmijë

SHKËNDIJA/ Në kopshtin me drekë një nga dhomat u përfshi nga flakët, ndërsa fëmijët u nxorën jashtë në kohë

Burime nga policia bënë të ditur se shkak për zjarrin dyshohet të jetë një shkëndijë elektrike, por hetimet vijojnë

PATOS - Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e së mërkurës kopshtin me drekë nr.1 të bashkisë së Patosit. Zjarri i rënë në godinën dykatëshe në mes të lagjes "1 Maji", ku strehohen rreth 150 fëmijë të moshës 4-6 vjeç ka krijuar panik te edukatoret, por edhe prindërit që në atë kohë ishin duke marrë fëmijët e tyre.

Mësohet se flakët kanë shpërthyer në njërën prej dhomave të katit të parë ku ndodheshin rreth 30 fëmijë të moshës 4 vjeç. Fillimisht flakët kanë përfshirë një krevat dhe më pas kanë djegur gjithçka që ndodhej në atë dhomë. Fatmirësisht mbi 100 fëmijët që ndodheshin në kopshtin me drekë janë evakuuar në kohën e duhur.

Zjarri

Mësohet se ka qenë ora 15:00 kur një shkëndijë elektrike ka bërë që të marrë flakë një nga dhomat e katit të parë të godinës dykatëshe, që i përket kopshtit me drekë në qytetin e Patosit.

Në atë kohë edukatoret po përcillnin fëmijët të cilëve u kishin ardhur prindërit për t'i marrë. Për rreth 30 minuta zjarri ka vijuar të jetë aktiv, ndërkohë që prindër e edukatore kanë nxituar për të nxjerrë jashtë ambienteve të kopshtit vogëlushët që ndodheshin në të.

Dy automjete zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje nga Fieri dhe Patosi, duke bërë të mundur edhe fikjen e zjarrit në një kohë të shkurtër. Si rrjedhojë është bërë i mundur lokalizimi i flakëve vetëm në dhomën ku shpërtheu zjarri, duke shpëtuar kështu hapësirën tjetër të kopshtit e sidomos katin e dytë, ku kishte ende fëmijë.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe policë të postës policore Patos të cilët kanë ndihmuar për nxjerrjen e e disa materialeve që ndodheshin në korridore. Mësohet se ka pasur dëme të mëdha materiale si krevate dhe orendi të tjera që përdoreshin për argëtimin e fëmijëve.

Kopshti

Kapaciteti i kopshtit me drekë nr.1 në Patos është 150 fëmijë të moshës nga 4-6 vjeç. Në grupin e katit të parë ku dhe ra zjarri, qenë konkretisht 30 fëmijë dhe kaq në dhomën tjetër po të këtij kati.

Fatmirësisht, asnjë prej vogëlushëve nuk u dëmtua fizikisht, përveç frikës për shkak të tymit dhe flakëve që panë. Hetimet e para tregojnë se flaka ka ardhur nga një shkëndijë elektirike, ndërkohë që dëmet e zjarrit kanë qenë të konsiderueshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›