E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, 71 mësues të papunë, kyçen disa shkolla

REFORMA/ 7% e numrit të përgjithshëm të arsimtarëve në qarkun e Lezhës kanë marrë vendimin për largimin nga puna

Reforma nuk ka kyrsyer as mësues që kanë mbi 30 vjet që japin mësim dhe që tashmë s'dinë ku të shkojnë

LEZHË - Me nismën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka nisur zbatimi i reformës arsimore ku u shkurtuan në fillim të muajit shkurt 1300 vende pune në rang kombëtar. Në zbatim të kësaj reforme në qarkun e Lezhës largohen nga puna 71 mësues ose rreth 7 % të numrit të përgjithshëm të arsimtarëve. Kjo reformë nuk ka kursyer as mësuesit me mbi 30 vjet punë në arsim.

Shkurtimi i mësuesve

Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Lezhë, Qazim Dushku, shprehet se për një reformë të tillë është ndjekur një kriter bazë, i cili përcakton qartë se shkurtohen nga puna mësuesit me kontratë.

Dushku theksoi se "si rezultat i numrit të kufizuar të nxënësve në disa shkolla, siç janë ajo e fshatit Mërqi, Kallmet i Vogël, Kalivaç apo shkolla Shehër në qytetin e Lezhës etj. jemi të detyruar edhe t'i mbyllim disa nga këto shkolla dhe nxënësit të transferohen në një shkollë tjetër".

ipas Dushkut nuk është normale të paguhen mësues për 3- 4 nxënës apo të lihet një shkollë me 20 nxënës. Ai tha se "do të bashkëpunojmë me komunat e këtyre fshatrave në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për transportin e nxënësve në shkollat më të afërta".

Reforma kësaj radhe ka përfshirë edhe Luçe Martinin, mësuese që në vitin 1974, me afro 36 vite punë në arsim. Mësuese Luçi u ka shërbyer nxënësve të shumtë në fshatin Mërqi që në vitin 1980. Ajo deklaron se vendimi për të ishte i papritur dhe i paparalajmëruar, ndërsa pohon se e ka të vështirë të sigurojë një punë në këtë moshë.

Mbyllja e shkollave

Por si pasojë e kësaj reforme në arsim, e cila ka nisur zbatimin e saj me masa drastike, janë mbyllur shkollat në disa fshatra në qarkun e Lezhës. Në komunën Kallmet janë mbyllur 2 shkolla të ciklit të ulët, njëra në fshatin Kallmet i Vogël dhe tjetra në Mërqi.

Mbyllja e këtyre shkollave ka hasur në kundërshtimin e fortë të arsimtarëve, të cilët kanë ngelur të papunë, por edhe të prindërve, pasi nuk janë dakord që fëmijët e tyre të bëjnë kilometra të tëra që të shkojnë në shkollë.

Prindërit e 45 fëmijëve që janë të regjistruar në shkollën e fshatit Mërqi kanë reaguar menjëherë pas këtij vendimi të papritur duke deklaruar se nuk do t'i dërgojnë fëmijët në asnjë shkollë tjetër.

Fshati Mërqi së fundmi i është nënshtuar një sërë investimesh në infrastrukturen rrugore, madje nga anë e komunës, siç shprehen banorët, është ndërhyrë edhe në rikonstruksionin e shkollës duke krijuar edhe kushte komode për zhvillimin e mësimit aty dhe, si banorët, ashtu edhe arsimtarët janë të habitur nga vendimi për mbylljen e kësaj shkolle.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›