Djegia e urës në Pezë, policia heton zjarrvënien e qëllimshme
Artan CENA
TIRANË - Djegia e urës në fshatin Pezë të Tiranës po hetohet si zjarrvënie e qëllimshme. Është Policia e Tiranës ajo që e ka bërë të ditur këtë gjë. Burimet zyrtare nga uniformat blu të kryeqytetit thanë gjatë ditës së djeshme se “policia po heton për një zjarrvënie të qëllimshme, por edhe për mundësinë e një zjarri aksidental”. Siç është mësuar, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, gjatë dy ditëve të fundit, në Komisariatin Nr. 6 janë shoqëruar dhe marrë në pyetje shumë banorë të zonës. Ndërkaq, është marrë takim dhe me kryeplakun dhe kryetarin e komunës. Por zjarri i rënë në urën e drunjtë që lidh fshatin me rrugën nacionale Tiranë-Plepa ka bllokuar disa minuta dhe kryetarin e PS-së dhe njëkohësisht kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama. Ai ka qenë duke shkuar në shtëpinë në Pezë kur janë vërejtur flakët. Është njoftuar policia dhe zjarrfikësit, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe më pas bërjen të mundur të lëvizjes së lirë.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur mesnatën e tri ditëve më parë. Sipas policisë, lëvizja e Ramës ka përkuar me momentin e zjarrit në urë, ndërsa pistat e hetimit nuk e lidhin ngjarjen me lëvizjet e kryetarit të PS-së. Policia e Tiranës tha se rreth orës 24:00 është marrë njoftimi për rënien e një zjarri në urën e “Celmatajve”, urë që lidh rrugën nacionale Tiranë-Durrës me fshatin Pezë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivët e Komisariatit të policisë Nr.6 si dhe shërbimi zjarrfikës. Ata kanë konstatuar se në urën prej dërrase kishte rënë zjarr dhe morën masa të menjëhershme për shuarjen e tij. Pas shuarjes së flakëve është parë se dëmtimet nuk përbënin shkak për bllokimin e qarkullimit të automjeteve. Pas kryerjes së disa provave me mjetet e policisë ura është hapur për kalimin e të gjitha mjeteve.
Hetimet
Në vendngjarje ka shkuar edhe drejtori i Policisë së Tiranës, i cili i ka ndjekur vetë nga afër veprimet për shuarjen e flakëve dhe hetimet e kryera aty. Dje ura ka qenë e kalueshme gjatë gjithë ditës dhe fatmirësisht flakët nuk kishin shkaktuar ndonjë dëmtim të rëndë të saj. Policia shoqëroi disa banorë të zonës pranë urës, të cilët dyshohet të jenë edhe zjarrvënësit. Burime pranë grupit të hetimit thanë se vetë banorët kanë një "problem" me urën, e cila, duke pasur strukturë të hekurt dhe e veshur me dërrasë, bën një zhurmë mjaft shqetësuese gjatë kalimit nga makinat. Policia dyshon se zjarrvënia kishte për qëllim nxjerrjen jashtë përdorimit të urës së drunjtë, duke detyruar më pas autoritetet të ndërtonin një urë të re, më të sigurt dhe më pak shqetësuese për banorët.
2 Gusht 2010