Korrupsioni me fletët e KEMP-it, mjekët mbeten në qeli
FIER - Gjykata e qarkut të Fierit ka dhënë masën “burg pa afat” për dy mjekët e arrestuar dy ditë më parë për mitmarrje. Pas vendimit, Tushe Qalliu dhe Leon Shpataraku janë shoqëruar nga uniformat blu për në qeli. Ata akuzohen për mitmarrje, pasi në këmbim të parave siguronin dëshmi për paaftësi për punë. Dy mjekët kanë qenë gjithashtu anëtarë të komisionit të KEMP-it. Tushe Qallia dhe Leon Shpataraku përfunduan në prangat e policisë falë operacionit të koduar “Shkodrani”. Burime nga policia e Fierit bënë të ditur se pasditen e së enjtes u realizua me sukses operacioni "Shkodrani". Gjatë tij u ndaluan dy mjekë, anëtarë të komisionit të paaftësisë për punë, kryetari u shpall në kërkim, ndërsa deklarohet se ai ndodhet jashtë shtetit. Ata janë arrestuar nga strukturat e Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier në bashkëpunim me Njësinë Taskë-Forcë në Prokurorinë e Fierit. Mësohet se mjekët ishin në hetim prej rreth katër muajsh, ndërsa akuza e ngritur ndaj tyre është "korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike" parashikuar nga neni 259 të Kodit Penal.
Fluks emigrantësh në Kapshticë, në 24 orë, 5100 të ardhur
KORÇË - Një numër i konsiderueshëm emigrantësh janë kthyer në Shqipëri ditët e fundit nëpërmjet vendkalimit kufitar të Kapshticës. Afrimi i muajit gusht ka rritur ndjeshëm numrin e emigrantëve të cilët kthehen në Shqipëri përmes pikës kufitare në juglindje të vendit. Pushimet e stinës së nxehtë janë shkaku i ardhjes në Shqipëri të emigrantëve, të cilët synojnë bregdetin shqiptar. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë kufitare mësohet se vetëm në 24 orët e fundit nëpërmjet vendkalimit kufitar të Kapshticës në rrethin e Devollit kanë kryer procedurat ndërkufitare duke hyrë në Shqipëri 5100 shtetas shqiptarë. Emigrantët janë ndeshur dhe me pritje disaorëshe në kufirin grek për shkak të fluksit të njëkohshëm të e udhëtarëve që kishin destinacion Shqipërinë. Më shumë se tre orë pritje iu është dashur gjatë të shtunës shtetasve shqiptarë vetëm në anën greke të kufirit për të mbaruar të gjitha procedurat nga njëra anë e kufirit në tjetrën. Policia e Shtetit ka bërë të ditur për gazetën se pala shqiptare ka punuar me 6 sportele, ndërsa ajo greke vetëm me 4 të tilla. Autoritetet e pikës kufitare të Kapshticës parashikojnë se në ditët në vijim pritet që fluksi i personave që hyjnë në Shqipëri të rritet.
Aksident në minierën e kromit, një i vdekur dhe një tjetër i plagosur
KUKËS - Një 38-vjeçar nga Kukësi ka humbur jetën në kushtet e punës teksa nxirrte krom. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Aliaj të komunës Surroj në Kukës. Bashkë me viktimën Seser Ademi është plagosur edhe një person tjetër. Bëhet fjalë për Myftar Sinën, 33 vjeç. Mësohet se të dy personat kanë qenë duke nxjerrë krom në momentin që pati shembje të një masivi dherash. I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin e Kukësit ku ka marrë edhe ndihmën e parë, ndërsa për 38-vjeçarin vdekja ishte e menjëhershme. Shkak për aksidentin është bërë mungesa e kushteve të sigurisë në punë. Pritet që policia të nisë hetimet.
2 Gusht 2010