Tahir Muhedini: “Çështja çame do të diskutohet në kongresin amerikan”
Çështja çame do të përfshihet së shpejti në axhendën e punimeve të kongresit amerikan, i cili brenda dy vitesh do të ketë në tavolinë shqyrtimin e rezolutës që dënon genocidin çam dhe kërkon zgjidhjen e çështjes çame. Kryetari i partisë Drejtesi dhe Integrim, Tahir Muhedini zhvilloi një tur takimesh me kongresmenë në SHBA, nga ku ka marrë mbështetjen e tyre për kauzën çame, e cila vazhdon të mbetet e pazgjidhur që nga viti 1945, kur shqiptarët e Çamërisë u larguan me dhunë nga shtëpite e tyre. “Rezolutën ne do ta përgatisim me juristë dhe historianë. Ky është një moment historik i gëzueshëm për gjithë shqiptarët çamë. Disa kongresmenë pasi dëgjuan me vëmendje këtë tragjedi të kësaj popullsie, që ka ndodhur para pak dekadash dhe nuk ka marrë askush përgjegjësi për këtë, paraqitën dëshirën që t’i drejtohemi një rezolute. Në vend që ta shprehnim ne, e shprehën dy kongresmenët. Ne u gëzuam shumë. Kjo është një ngjarje me të vërtetë historike. Ndoshta i gjithë populli shqiptar çam dhe gjithë shqiptarët e kanë pasur ëndërr që kjo çështje të shkojë deri në kongresin amerikan”, - tha Muhedini. Gjatë takimit me liderin e maxhorancës demokrate në kongresin amerikan Steni Hoier, kreun e Komisionit të Sigurisë dhe Bashkëpunimit me Europën, Alsi Hastin, Muhedini mori premtimin se ata do të kërkojnë së shpejti një takim me ambasadorin grek në SHBA, për të pasur një informacion akoma më të gjërë mbi masakrën çame, ndërsa kanë shprehur të gjithë mbështetjen e tyre për të votuar rezolutën, kur ajo të paraqitet në kongresin amerikan. Njëkohësisht, kryetari i PDI-së Muhedini ka marrë edhe mbështetjen për të vazhduar më tej lobimin për çështjen çame edhe nga drejtuesit e shoqatës “Vatra” dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro - Amerikan.
2 Gusht 2010