Ulja e normës së interesit nga BSH, Konfindustria: “Është e vonuar”
Ervin KOÇI
Një pjesë e biznesit në vend, e konsideron si fare pa vlerë veprimin më të fundit të Bankës së Shqipërisë, mbi uljen e normës bazë të interesit të lekut. Vendimi i fundit i BSH-së, edhe pse është mbështetur nga Konfindustria, cilësohet si i pamjaftueshëm për të pasur një ndikim të madh në ekonominë e vendi e ndodhur tashmë në krizë. Në një deklaratë për mediat, Administratori i Konfindustria-s u shpreh se sistemi bankar në vend, sidomos për bankat e nivelit të dytë, rezulton me tarifat më të larta të përqindjeve të interesave të kredive në rajon. Ai, ka thënë Konfindustria, është edhe më i larti i vendeve të BE-së. “Duke mbështetur në parim vendimin e marrë së fundi nga Banka e Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit prej 0.25 për qind, Konfindustria gjykon, se ka mundësi të kufizuara, që vendimi i mësipërm të transmetohet dhe të ndikoje në zbutjen e termave të kreditimit të bizneseve nga sistemi bankar të nivelit të dytë, që janë nga më të lartat jo vetëm me vendet e BE-së por edhe me vendet e rajonit”,- u shpreh Administratori, Gjergj Buxhuku në emër të Konfindustrisë. Duke bërë një analizë të sistemim bankar, Konfindustria ka arritur në përfundimin se, sistemi bankar është organizuar në formën e një oligopoli. “Konfindustria gjykon se, shkak për përfundimin e mësipërm është mënyra sesi është ndërtuar dhe funksionon sistemi bankar shqiptar i nivelit të dytë në të cilin vihet re një shkallë e ulët konkurrence ndërmjet operatorëve bankarë, që tregon shenja të dukshme të sjelljeve të tregut oligopol”,- thuhet në deklaratën e Konfindustrisë. Sipas këtij organizimi, krijimi i tregut oligopol është veçanërisht i dukshëm në tregtimin e letrave me vlerë të qeverisë.
Ekspertët
Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se BSH-ja, ishte e vonuar në vendimmarrjen e saj për të ulur normën e interesit për lekun. Por jo vetëm. Një ulje e tillë është një veprim rutinë, i cili nuk do të ketë efektin e parashikuar, siç është shtimi i kreditimit, si dhe një lehtësim sadopak të këstit të kredive në lekë. I këtij mendimi ka qenë dhe ish- guvernatori i BSH-së, Shkëlqim Cani, sipas të cilit lehtësimi i politikës monetare është një veprim tipik në kohë krize dhe se erdhi pas presionit të qeverisë. “Ne të gjithë e mbajmë mend presionin që qeveria bëri në drejtim të politikës monetare, ndaj jam i mendimit se një vendim i tillë është marrë nën presion”- u shpreh Cani. Sipas tij, një vendim i tillë është i vonuar. “Nëse do të ishte marrë një vendim i tillë gati dy vjet më parë, normat e interesit për bonot e thesarit, për kreditë, por edhe kostot në buxhet nuk do të ishin kaq të larta”, - vijon më tej argumentin Cani. Sipas tij, një vendim i tillë është rutinë, pasi ulja është aq e vogël sa nuk do të jetë e ndjeshme, për konsumatorin, si për biznesin edhe për qytetarin. Disa ditë më parë, BSH-ja uli koston e parasë me 0.25%, si një masë kjo, e cila do të ndikojë në rritjen e konsumit në vend, në kushtet kur inflacioni është nën kontroll dhe nuk përbën kërcënim.
Opozita
Edhe Partia Socialiste e ka konsideruar si një përpjekje “të dështuar”, lëvizjen e guvernatorit Ardian Fullani, për uljen e normës së interesit me 0.25 për qind. Duke iu përgjigjur vendimit të BSH-së, deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, deklaroi se, “ndërsa ne themi sot se ulja e normës së interesit, që lajmëroi guvernatori është jo vetëm shumë e vonuar, por nuk ka asnjë gjasë të ndikojë në përmirësimin e situatës ekonomike. Kriza e ka vënë poshtë vendin dhe e ka lënë prapa qeverinë, e cila nuk e ndjek dot ritmin e përshpejtuar të krizës, sepse kërkon ta fshehë atë ndërkohë që, vetëm grabit e dëmton për interesat e oborrit të pushtetit”. Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, deklaroi se, “ky vendim tregon se jo vetëm vendi është në një krizë të rëndë ekonomike, por se kjo është pranuar me fakte edhe pse jo me fjalë, nga ky pushtet, që vodhi zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë”. Kodheli, paraqiti për mediat tri pikat kyçe, që dëshmojnë krizën ekonomike, atë që provojnë përditë në kurriz shqiptarët, një krizë për shkak të keqqeverisjes, të cilën e pranoi edhe vetë guvernatori i BSH-së. Duke iu referuar deklaratës së guvernatorit Fullani, deputetja Kodheli citoi se kriza flet vetë, “ecuria e konsumit të brendshëm është e ngadaltë; investimet private janë në rënie dhe reduktimi drastik i investimeve publike e ka tkurrur rëndë ekonominë”. Sipas Kodhelit, nuk mund të ketë asnjë gjasë për demokraci funksionale, zhvillim, mirëqenie dhe shtet të së drejtës, në një vend ku nuk bëhet transparencë për zgjedhjet, ekonominë dhe qeverisjen.
2 Gusht 2010