E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji i ndotur “Santa Mara” vazhdon të shitet në treg



Në disa minimarkete të kryeqytetit vazhdon të tregtohet uji i ambalazhuar “Santa Mara”, i cili ka rezultuar me ndotje bakteriale, pesë herë mbi normën e lejuar. Drejtori i Inspektoratit të Higjenës, Mhill Gecaj, ka deklaruar se pas analizave të kryera në këtë subjekt është urdhëruar pezullimi i kësaj firme dhe janë vendosur disa gjoba. “Kemi ushtruar disa kontrolle në zonën e ish-uzinës së Autotraktorëve dhe paraqesin probleme disa subjekte dhe mund të them se, një ndër këta është ‘Altred Santa Mara’. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes me këtë ujë të ambalazhuar 5 dhe 6 litrosh që ka dalë më ndotje bakteriale”,- është shprehur Gecaj. Por ky, nuk është i vetmi subjekt që tregton ujë të ambalazhuar jashtë parametrave kimike të lejuar. Inspektorati i Higjenës sqaron se, janë disa subjekte që kanë probleme me ujin e pijshëm të ambalazhuar. Për specialistët e higjenës, probleme paraqesin edhe disa tregje në Tiranë, të cilat tregtojnë produkte të ndryshme jashtë kushteve higjeno-sanitare. Inspektorati i Higjenës ka vendosur që të gjithë punonjësit që punojnë në subjekte që merren me shërbime, duhet të pajisen me librezën shëndetësore e cila merret vetëm në këtë institut.

Pogradec, turistët preferojnë plazhin publik

Ky sezon i ri veror i ka dhënë Pogradecit, pamjen e veçantë të një qyteti turistik. Uji i kaltër i liqenit dhe plazhet e shumëllojshme venë në dilemë pushuesit të cilët, janë të shumtë ketë vit. Plazhi i Tushemishtit, me parkun e Drilonit në krah është plazhi tradicional që qyteti ka në gjirin e tij. Një relaks i vërtetë pranë pyllit e bregut të liqenit, i vendosur mes gjelbërimit të stisur dhe kafshëve. Ofrohet edhe mundësia e vozitjes me varkë për të shijuar këto mrekulli. Turistët kanë zgjedhur të frekuentojnë plazhet publike pasi, sipas tyre çmimet janë shumë të larta edhe të papërballueshme në plazhet private.

Paralizohet turizmi grek, 100 mijë turistë anulojnë rezervimet

Turistët në Greqi detyrohen të lënë pushimet pasi shoferët dhe punonjësit publikë janë në grevë dhe nuk ka makina për të qarkulluar, si dhe shërbime të tjera. Greva e shoferëve të kamionëve ka sjellë një katastrofë për turizmin grek, pasi shumë turistë ballkanas kanë anuluar pushimet e tyre në Greqi. Çdo ditë llogaritej që 100 mijë turistë nga Bullgaria, Rusia dhe Serbia, të vizitonin Greqinë dhe kryesisht veriun. Një nga destinacionet më të preferuara të turistëve është Korfuzi, mirëpo shumë prej tyre kanë ngurruar të nisen pasi janë informuar se mund të mbeten në rrugë për karburant. Këtë vit, pronarët e hoteleve në Greqi ulën çmimet në maksimum për të përballuar krizën që ka kapur vendin, por shoferët e kamionëve që duan të kenë monopolin e transportit, shkatërruan të gjithë ëndrrat e bizneseve në zonat turistike. Sipas drejtuesve të institucioneve greke, kriza ka goditur sektorin, i cili i sillte miliarda euro të ardhura, vendit që krenohej me turizmin. Për këtë arsye, qeveria greke vendosi që të kërkojë mobilizimin civil, një lloj i rekrutimit aplikuar në rast lufte apo fatkeqësish natyrore, gjë që do të thotë se ajo parashikon të marrë masa edhe nëse vendi është në krizë. Hotelet në ishuj janë mbyllur dhe shumë turistë janë larguar, ndërsa situata mbetet e vështirë.

2 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›