E Diel, 1 Nëntor 2026

Djelic: Kosova nuk do të jetë kusht për Serbinë në BE


Zëvendëskryeministri serb, Bozidar Djelic thotë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE. "Garancitë më të forta, janë politika jonë konsekuente që Kosovën e mbrojmë me mekanizma paqësorë, diplomatikë, e juridikë", është shprehur Djelic në një intervistë dhënë për gazetën "Veçernje novosti". Me këtë përgjigje ai i është përgjigjur pyetjes se cilat janë garancitë që kushti për të hyrë në BE nuk do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, edhe "pozicionet e pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën nuk do të ndryshojnë". Djelic është i bindur se janë të mundshme bisedimet e reja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe sipas tij, "e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën është ajo që është e pranueshme për Beogradin". Djelic pohon gjithashtu se përfaqësues të Grupit Ndërkombëtar të Krizave i kanë thënë se po përgatisin një raport për zgjidhjen e statusit të Kosovës i cili do të jetë i pranueshëm për Serbinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›