Kosovë, bastiset selia e "Vetëvendosjes"
Policia e Kosovës ka bastisur rreth orës 10:00 të së enjtes selinë e "Lëvizjes Vetëvendosje", në kërkim të liderit të saj Albin Kurti. Ndërkaq aktivisti i "Vetëvendosjes", Glauk Konjufca, ka deklaruar për Radion Kosovën se, fillimisht, policia dhe më pas edhe trupat speciale të policisë, pa ndonjë urdhër bastisje, kanë kontrolluar ndërtesën ku është vendosur "Lëvizja Vetëvendosje", përfshirë edhe papafingon. Konjufca tha se Albin Kurti nuk kishte ndërmend të paraqitej në seancën gjygjësore për sot, pasi ai nuk e njeh Trupin Gjykues të EULEX-it. Më herët, Policia e Kosovës kishte marrë një urdhër nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për arrestimin e liderit të "Vetëvendosjes", Albin Kurti. Një urdhër i tillë, sipas RTK-së, që citon zyrtarë të policisë, kishte si qëllim të siguronte praninë e Kurtit në seancën gjyqësore të së enjtes. Seanca e sotme ku kërkohej paraqitja e Albin Kurtit, ishte parashikuar të zhvillohej të martën, por edhe atëherë u shty, pasi Albin Kurti, ashtu si herët e tjera nuk ishte paraqitur. Ndërkaq raportohet se aktivistët e lëvizjes "Vetëvendosje" kanë qëlluar me vezë avokatin Avni Gjakova, i cili ka pranuar "ta mbrojë" Kurtin, megjithëse ky i fundit u kishte bërë thirrje avokatëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në procesin gjyqësor kundër tij dhe të mos bashkëpunojnë me EULEX-in. Gjakova është sulmuar me vezë ndërsa po hynte në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës