Djokovic, kampion i Australian Open
Novak Djokovic fitoi titullin e tij të dytë në Australian Open duke mposhtur në finale britanikun Andy Murray në tre seta 6-4, 6-2, 6-3 në Melbourne.
Serbi, bartës i tretë i cili kishte fituar titullin më 2008, ishte bindshëm më i mirë se kundërshtari i tij dhe ngriti trofeun pas dy orë e 37 minutash lojë kur Murray e dërgoi një forhend në rrjetë.
Prej kur arriti në finale të US Open në shtator të vitit të kaluar, Djokovic ka qenë në formë të shkëlqyeshme dhe tani shtoi titullin e tij të dytë në Australian Open, në triumfin në David Cup që arriti me Serbinë, muajin e kaluar.
Pasi Djokovic me një lojë të shkëlqyeshme mposhti zviceranin Roger Federer në gjysmëfinale, përballja finale premtoi shumë pasi Murray kërkonte titullin e tij të parë në një Grand Slam turne. Mirëpo, edhe pse dy gemet e para zgjatën gati 20 minuta, Murray nuk arriti të përcjellë ritmin e Djokovicit, i cili fitoi bindshëm.
“Ia dedikoj titullin familjes sime, vëllezërve të mi, të dashurës sime Jelena, e cila është në shtëpi, njerëzve që kanë qenë me mua për shumë vite”, tha Djokovic. Murray mundohej të bëhej tenisti i parë britanik që fiton një Grand Slam turne, pas Fred Perry më 1936. Ai u mposht në finale të US Open 2008 dhe finalen e vitit të kaluar në Melbourne, të dy herët nga Roger Federer.