E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet Fadil Ferati

Nga Express më 30 janar 2011 në ora 19:15

Fadil Ferati ishte një shembull i udhëheqësit të palodhshëm e të suksesshëm, i cili iu priu proceseve të gjata e jetike për Kosovën, u tha të dielën në një akademi në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të nënkryetarit të LDK-së dhe ish-kryetarit të Istogut.

Këtë akademi të organizuar nga Kryesia e LDK-së, me prezencën e tyre e nderuan familjarë, zyrtarë të LDK-së dhe qytetarë të shumtë nga Istogu dhe Kosova.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke folur për jetën dhe veprën e Fadil Feratit, ka thënë se ai ishte njeri që u ka prirë proceseve të mëdha nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

“Fadil Ferati bënte pjesë ndër njerëzit e fisëm, të cilët përveç idesë e karizmës, kanë edhe guximin për të besuar se një ide sado e vështirë që të jetë, ajo mund të bëhet realitet. Fadili besoi në lirinë e Kosovës dhe punoi në kushtet më të skajshme të shtypjes, në mënyrë që dita e lirisë të vijë”, ka thënë Mustafa.

Për më tepër, ai theksoi se mbi dy dekada Fadil Ferati punoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndërtimin e jetës institucionale dhe përforcimin e institucioneve lokale dhe qendrore, duke fituar respektin e qytetarëve.

“Edhe pse Fadili nuk është me ne, figura e tij vlerësohet shumë lart nga anëtarësia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, qytetarët e Kosovës dhe ata të Istogut. Me veprën e tij ai mbetet personalitet shumë i dashur dhe i respektuar anekënd Kosovës. Ndërkaq, për bashkëqytetarët e tij një shembull i udhëheqësit të palodhshëm e të suksesshëm, i cili iu priu proceseve të gjata e jetike për të ata dhe për këtë vend”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova ka thënë se puna dhe vepra e Fadil Feratit do të kujtohet për jetë.

“Jo vetëm që ishte ndër nismëtarët e këtyre proceseve, por ai kishte aftësi të ishte edhe bartës i tyre. Ai ishte gjithmonë i përkushtuar duke bartur përgjegjësinë dhe obligime të shumta të kohës”, ka thënë ai.

Fadil Ferati, nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i Istogut, ndërroi jetë në janar të vitit të kaluar, pas një sëmundjeje të rëndë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›