“Do përmbushim angazhimet që Viti i Pavarësisë të jetë sa më dinjitoz për shqiptarët”

Ilir Meta thërret Mbledhjen e kryesisë së LSI-së
“Lëvizja Socialiste për Integrim si forcë e rëndësishme politike në vend, si forcë e koalicionit qeverisës do të përmbushë angazhimet dhe detyrimet e saj që ky vit të jetë sa më dinjitoz për shqiptarët”.
Kështu u shpreh dje kreu i LSI, Ilir Meta, në mbledhjen e Kryesisë së kësaj force politike, e para për vitin 2012. Meta u ndal tek 100 vjetori i krijimit te shtetit shqiptar, duke theksuar se “pas 100 vitesh, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe besojmë se këtë vit do të marrim dhe statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropën, por edhe Kosova është shtet i pavarur, shtet që po afirmohet gjithnjë e më shumë, shtet jo vetëm i ri, por edhe si shtet gjithnjë e më demokratik”.
Ai shtoi se “ky vit të jetë një vit që të njohë përmirësim të mëtejshëm të qeverisjes, të jetë një vit që të njohë një stad të ri të integrimit evropian të vendit, vit i sundimit të ligjit dhe kjo është shumë e rëndësishme për të forcuar më tej themelet e këtij shteti dhe për 100 vitet e ardhshme”.
Meta bëri të ditur se 18-19 maji do të jenë datat e mbajtjes së Konventës Zgjedhore të LSI, që do të paraprihen nga Konventa e Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe Lëvizjes Rinore për Integrim.
Kreu i LSI tha se në zgjedhje do të kandidohet në mënyrë alternative në të gjitha nivelet, duke filluar nga vetë posti i kryetarit.