“Do përshtat Planin Rregullues të Tiranës për njësinë bashkiake”
Kandidati i LSI-së në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit për njësinë bashkiake nr.10 në Tiranë, tha dje se prioritet i tij është përshtatja e Planit Rregullues të Tiranës me nevojat e njësisë bashkiake. “Duke u mbështetur edhe në kompetencat e Njësisë Bashkiake nr.10, unë do të kisha dëshirë, së pari, si urbanist që jam, të përshtatja Planin Rregullues të Tiranës me atë të kësaj njësie. Pra, duhet të kuptojmë një gjë, që edhe sot e kësaj dite që ne po flasim, Tirana nuk ka ende një plan rregullues. Personalisht kam qenë dhe koordinator i planit rregullues, dhe ka 4 vjet që ende ky plan nuk është bërë. Kjo është përgjegjësi direkt e Bashkisë së Tiranës”, u shpreh Thomai.
Një tjetër çështje ku kandidati i LSI-së do të këmbëngulë është siguria në rrugë. “Për çdo qytetar të Tiranës, akoma dhe më shumë vetë banorët e kësaj njësie vendore, e dinë shumë mirë në çfarë situate është kjo njësi. Kjo zonë ka probleme parkimi, sigurinë që ofron infrastruktura rrugore, mungesa e shesh-pushimeve etj.”, tha kandidati i LSI-së. Mungesa e hapësirave të gjelbra është një nga shqetësimet e tij në këtë njësi bashkiake. “Me sa e njoh këtë zonë, por dhe në bazë të informacioneve që unë kam, kjo zonë është një nga zonat më me pak hapësira të gjelbërta në kryeqytet. Gjithashtu, në një nga pikat kryesore të programit tim si kandidat për këtë njësi, është mirëmbajtja dhe rregullimi i infrastrukturës rrugore dhe sistemimin e tregjeve në këtë zonë”, u shpreh ai. Por në drejtimin e kësaj njësie të rëndësishme të kryeqytetit, Thomai shprehet se do të implementojë dhe programin e LSI-së për moshën e tretë. “Duke implementuar programin social të LSI-së për përkrahjen dhe mbështetjen e moshës së tretë, duke u bazuar në këtë program, ne do të mundësojmë krijimin e ‘qendrave sociale’, të cilat do të ofrojë shërbime sociale për komunitetin e kësaj zone me financim nga vetë kjo minibashki”, u shpreh kandidati i LSI-së. Si ish pjesë e strukturave të PS-së, nga të cilat është shkëputur pak kohë më parë, Thomai denoncon manipulimet e bëra gjatë zgjedhjes sërish në krye të PS-së të Edi Ramës. “Menjëherë pas procesit zgjedhor për pushtetin vendor dhe rikonfirmimin për të tretën herë si kryetar të Bashkisë së Tiranës, z. Rama, u zhvilluan zgjedhjet brenda partisë për strukturat e reja drejtuese, ku u vu re një manipulim i gjithë procesit zgjedhor. Parimi gjoja “një anëtar, një votë”, ishte krejtësisht fasadë, dhe ky proces solli një revoltë të madhe të të pakënaqurve brenda PS-së, dhe që nga ky moment unë nuk pranova që të isha pjesë e strukturave drejtuese të PS-së”, u shpreh Thomai.