Ngjela, avokat i PS në Gjykatë
Aristir Lumezi
Spartak Ngjela do të jetë avokati i PS-së në Gjykatën Kushtetuese për kufirin me Greqinë. Kryetari i partisë “Liri dhe Drejtësi”, i cili ka firmosur në kërkesën e shtatë partive në opozitë, shprehet se në marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë, dyshohet për një aferë të përmasave të mëdha. Ngjela i cili do të jetë dhe avokati i akuzës në këtë proces sqaron se 150 koordinatat e reja cenojnë nenin 3 të Kushtetutës mbi “Pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij”. “S’kam pse ta fsheh, do ta paraqes vetë përpara Gjykatës Kushtetuese. Do jem dhe si avokat. Ne dyshojmë se këtu mund të ketë një aferë të madhe korruptive për faktin se aty do kalojnë tubat e gazsjellësit dhe Shqipëria humbet rreth 200 milionë euro në vit. Pyetja është se kush i fiton? Këtë do ta gjejnë organet përkatëse”, tha Ngjela. Avokat Ngjela zbardh dhe 3 pikat kryesore të ankesë-padisë që do të depozitohet të martën në Gjykatën Kushtetuese. “Është cenuar territori. Cenimi i territorit është neni 3 i Kushtetutës. Është krim i rëndë në Kodin Penal. Janë shumë gjëra të rënda rreth kësaj marrëveshjeje. Fakti që bëhet një marrëveshje kuptohet që nuk është territor grek, por është territor shqiptar se po të ishte territor grek nuk do të kishte nevojë për marrëveshje me Shqipërinë. Ekziston vendimi i Gjykatës së Hagës që Shqipëria të ndëshkohet me pagesën e reparacioneve për një dëm që i sjell flotës angleze pas një shpërthimi bombe në territorin shqiptar. Ka qenë një konflikt i vjetër anglo-shqiptar, i cili është zgjidhur me anë të këtij vendimi, të cilin e kemi pranuar dhe e kemi paguar një ton e gjysmë ar”, tha Ngjela. 150 koordinatat e reja të kufiri detar më Greqinë janë kontestuar nga opozita me pretendimin se falet një sipërfaqe e konsiderueshme ujore, fakt ky që është mohuar nga ekipi negociator i marrëveshjes. Pas hedhjes së firmës së tij në kërkesën drejtuar Kushtetueses, kreu i PLD-së, Ngjela, i bëri apel Gjykatës ta marrë me urgjencë kërkesën e partive opozitare. “Gjykata Kushtetuese duhet ta marrë me urgjencë, duke i vënë Parlamentit në dijeni faktin, se edhe sikur të gjithë deputetët të jenë dakord unanimisht, ndëshkohen penalisht në rast se kjo provohet. Dhe kjo nuk ka pse të mos provohet, sepse në rast se nuk do të ishte territor shqiptar 350 km2, nuk do kishte nevojë për marrëveshje. Atëherë Shqipëria cedon nga territori i saj dhe ky është krim i rëndë. Gjej rastin t’i them Presidentit të Republikës të jetë i vëmendshëm dhe ta shohë me përparësi këtë çështje”, është shprehur Ngjela.