PBDNJ merr shumicën në 3 KZAZ
BLEDAR HOTI
Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut do të zëvendësojë Partinë Socialiste në përbërjen e komisioneve të zonave zgjedhore. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani në mbledhjen e djeshme bëri të ditur se do t’i drejtohet PBDNJ-së për të plotësuar vendet vakante të krijuar nga PS-ja, sipas rezultat i vendimit të marrë për bojkotimin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit. Sipas burimeve pranë KQZ-së mësohet se sot do të shqyrtohet edhe propozimi i PBDNJ-së për anëtarët e tjerë të KZAZ-së. Kështu në tre KZAZ shumicën e komisionerëve do ta ketë PBDNJ-ja, ndërsa në dy të tjera do ta ketë PD-ja. Në mbledhjen e djeshme KQZ-ja nuk plotësoi të gjitha vendet me anëtarët e KZAZ-së, për shkak të mungesës së dokumentacionit të paraqitur. Sot pritet që të plotësohen të gjithë emrat përkatës. Me plotësimin e këtyre vendeve vakante merr fundi ngërçi i dalë në lidhje me plotësimin e vendeve të anëtarëve të KZAZ-së nga ana e partive të opozitës. “KQZ, përmes shkresave, e ka mbyllur komunikimin zyrtar me Partinë Socialiste për sjelljen e propozimeve për anëtarët e KZAZ në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Ne me shkresa e kemi mbyllur komunikimin zyrtar me PS-në. Mungesa e përgjigjes është normalisht përgjigje negative”, u shpreh kryetari Ristani. KQZ-ja, po dje ka miratuar edhe fondin që do të përdoret në këto zgjedhje të pjesshme të 15 nëntorit. Kostoja financiare e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 15 nëntorit parashikohet të jetë rreth 9.606.746 lekë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi paraditen e djeshme strukturën e shpenzimeve buxhetore për këtë proces zgjedhor, që do të mbahet në pesë njësi vendore në disa qarqe të vendit. Sipas vendimit, totali i shpenzimeve i detajuar sipas zërave parashikon shpenzimet për pagat e personelit të përkohshëm, shpërblimin për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Grupeve të Numërimit të Votave. Por nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi kërkoi që të mos përfshihen çështja e sensibilizimit të medias, pasi numri i njësive vendore është i ulët dhe nuk prek një numër të madh votuesish.