E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike dhe një ide për zgjidhje

Sotiraq Hroni 

Tashmë lufta politike jashtë Parlamentit duket se ka përpunuar tërësisht arsenalin e armëve, që po përdoret për të argumentuar pozicionin politik të palëve, pavarësisht se si maxhoranca ashtu edhe opozita kane përbrenda një tension në rritje. Sforcim i ndjeshëm po ndjehet së brendshmi brenda shumicës parlamentare, për të mos folur për çështje të veçanta të reformave të rëndësishme. Por, një lehtësim jo i vogël për qeverinë ngelen raportet thuajse pozitive për zgjedhjet nga ndërkombëtarët. Mesazhet që vinë nga jashtë nuk do të thotë se ato nuk mbështesin kauzën e opozitës, por mbi të gjitha, duke qenë më të ftohtë, ata mbështesin ecurinë e reformave dhe normalitetin demokratik në vend. Ndërkombëtarët janë të interesuar për reformat, sikundër janë po aq të interesuar për konsolidimin e normalitetit demokratik dhe legjitimitet që vjen nga integriteti i votës të çdo qytetari. 
I njëjti tension ndoshta edhe më iu madh ekziston edhe tek opozita. Përveç grupit të deputetëve të mendimit “ndryshe”, nuk mund të thuash se brenda Partisë Socialiste gjithçka tjetër është nën kontrollin e kryetarit Rama. Edhe deputetët e rinj jo të pakët të Partisë Socialiste, sikundër edhe të vjetrit e tjerë kuptojnë se interesi i tyre jo vetëm material është brenda Parlamentit. Shumë prej tyre ndodhen nën “presionin” e risisë parlamentare dhe fuqizimit publik. Aq me tepër, që aksioni politik jashtë parlamentar do të bëhet edhe më i lodhshëm, po aq edhe i pakuptimtë, kur aksioni politik mund të bëhet edhe në Parlament. Çështja është lodhja politike, e për të ulur konsumin e tij, tashmë Edi Rama po punon edhe me parti të tjera të mbetura jashtë Parlamentit. Partitë e vogla, aleate të Edi Ramës, nuk kanë ç’të humbin, por kanë ç’të fitojnë. Në fund të fundit ato do të strukturojnë një partneritet që do të mundësojë në të ardhmen rihyrjen në Parlament. Përvoja e dekadës së fundit, është së të vegjlit marrin flamurin e Luftës politike në mënyrë më fanatike. Pra, përmes këtij koalicioni opozitar kryetari socialist kërkon të motivojë më tepër partinë dhe mbështetësit. Drejt kauzës së tij të rinumërimit të votave.
Megjithëse mëse e drejtë në vetvete shumë pak vetë mendojnë se kjo mund arrihet. Nuk ka asnjë tregues, ndoshta edhe logjikë, që në momentin aktual t’i kërkosh maxhorancës qeverisëse rinumërim, kur dihet ecuria procedurale post-elektorale, përfshirë këtu edhe raportin e OSBE/ODIHR. E vetmja provë e vërtetë e publikuar për manipulim është ajo e përcjellë nga një parti politike mbi dokumentin filmik të numërimit në Shkodër. Po edhe kjo provë duhet rivlerësuar juridikisht nga ekspertë nëse është autentike dhe/apo e keqpërdorur.
Gjithsesi, për mua kauza e numërimit ia vlen dhe mendoj se rinumërimi duhet bërë, të paktën në tre qarqe, Berat (në të cilën thuhet se ka pasur lëvizje të orientuara votash brenda vetë koalicionit të majtë) ndërkohë që duhet bërë edhe në Shkodër edhe në Tiranë, për të cilat pretendon opozita. Shqipëria është vendi më i lodhur në Ballkan për është drejtësinë e procesit zgjedhor e tashmë kanë ardhur koha të ndëshkohet në bazë ligjit gjithkush që merr përsipër vënien dorë mbi vullnetin e qytetarit shqiptar. Kjo është një domosdoshmëri për të  gjithë, për shqiptarët, për ndërkombëtarët, por edhe për nevojat më jetike të vendit për integrim evropian.
Pra, rinumërimi duhet bërë dhe vërtetësia e votës është në interesin afatgjatë të çdo partie. Por, a mund të bëhet rinumërimi tani kur vendi ka një sërë prioritetesh të tjera, kur jemi më pranë së kurrë kushteve për liberalizimin e vizave, kur vendi po ndërton një axhendë integruese jo pa kontributin e opozitës.
Pra, edhe sikur Rama të ishte në pushtet, kurrë nuk do të besoja se ai do të shkonte drejt rinumërimit kur ligjërisht, edhe me firmën e komisionerëve të tij, gjithçka ka mbaruar ligjërisht e ndërkombëtarisht. Por, përsëri unë them se votat duhen rinumëruar. Për të vënë mend të gjithë, i madh dhe i vogël, në kryeqytet apo në fshat, përmes ushtrimit të ligjit.
Me aq sa njoh klasën politike të vendit, personalisht shoh vetëm një zgjidhje, që detyrimisht kalon përmes rinumërimit të votave, por në një kohë dhe në një moment, kur nuk prek ecurinë integruese dhe stabilitetin e vendit.
Tashmë Rama ka dëshmuar se ai bën kompromise për çështje të mëdha. Ndërsa, kontributi i pamohueshëm që dha për NATO-n ishte më shumë një çështje thjesht politike, integrimi në BE dhe heqja e vizave është një çështje që prek të gjithë, çdo qytetar e çdo familje të Republikës. Unë nuk do t’ia falja askujt, duke humbur çdo shans që të vazhdojë të shkojë prapë në ambasada për viza qoftë edhe formalisht. Si kundër, nuk ia fal askujt që merr përsipër të vejë dorën mbi votën. 
Por a mund të realizohen të dyja. Edhe rinumërim edhe stabilitet politik e reforma. Them se ka vetëm një mundësi.
Të bëhet një marrëveshje politike historike me të gjitha garancitë e mundshme. Që jo tani dhe sot, por gjashtë muaj para zgjedhjeve të ardhshme, të gjenden modalitetet për të njohur në tërësinë e vet çfarë ka ndodhur me zgjedhjet në Shqipëri më 29 qershor 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›