E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse Tirana nuk u furnizua me ujëra të pastra burimesh

Prof. Ramazan Saraçi* 

Pak histori
Në fund të viteve ‘80 Tirana ndodhej para një krize të madhe nga mungesa e ujit të pijshëm. Shteti vetë kishte mungesa fondesh për gjetjen e burimeve të ujit për furnizimin e Tiranës. Meqenëse në vitin 1988 ishte aprovuar studimi i ndërtimit të rezervuarit të Bovillës për shfrytëzimin e ujërave të tij për ujitje dhe për prodhim energjie, qeveria e asaj kohe mori menjëherë vendimin për ndërtimin rezervuarit të Bovillës dhe shfrytëzimin e ujërave të tij për furnizimin e Tiranës.  Edhe pas viteve ‘90 kriza e ujit të pijshëm për Tiranën u bë edhe më e theksuar, gjë e cila e detyroi qeverinë e Aleksandër Meksit, për mungesë fondesh dhe nga emergjenca të vërë në fuqi vendimin e vitit 1988 për ndërtimin e rezervuarit të Bovillës dhe të kërkojë ndihmë nga qeveria italiane për impiantin e pastrimit të ujërave të rezervuarit të Bovillës, pa marrë parasysh kundërshtimin e specialistëve.
Projekti “Mbrojtja Ekologjike e Ujërave të Rezervuarit të Bovillës”.
Miratimi nga qeveria e Aleksandër Meksit të vendimit për furnizimin me ujë të pijshëm të Tiranës me ujërat e rezervuarit të Bovillës inkurajoi Shoqatën për Mbrojtjen e Ujërave të Embla e Bregdetare të Shqipërisë në shkurt të vitit 1996 të realizojë projektin: “Mbrojtja Ekologjike e Ujërave të Rezervuarit të Bovillës”, i financuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit, Zyra lokale në Tiranë. Në realizimin e këtij projekti, i drejtuar nga Prof. R. Saraçi, 2 vjet para përfundimit të punimeve për shfrytëzimin e ujërave të rezervuarit të Bovillës, morën pjesë specialistë në fushën e hidrologjisë, hidroteknikës,  hidrogjeologjisë, gjeologjisë, gjeomorfologjisë, iktiologjisë etj., ku u mbajtën 11 kumtesa. Ideja e këtij projekti ishte që “Marrja e ujërave të rezervuarve për furnizimin e qyteteve me ujë të pijshëm ishte e parakohshme për Shqipërinë”, duke pasur parasysh se Shqipëria ka rezerva të shumta të ujërave të burimeve, me cilësi të lartë, por mjafton të zbatohet ideja e kalimit të ujërave nga një pellg ujor me rezerva të mëdha ujërash në një pellg tjetër me më pak rezerva të tilla si shprehje e transformimit të natyrës. Kostoja e transportit të këtyre ujërave nuk është shumë e madhe, duke pasur parasysh se nuk kanë nevojë për impiante pastrimi shumë të kushtueshëm, ngaqë janë ujëra burimesh, me cilësi të veçanta organoleptike dhe me shpenzime të përvitshme të pakta për pastrimin e tyre. 
Meqenëse qe vendosur nga qeveria me vendim të posaçëm marrja e këtyre ujërave, u propozuan masat që do të merreshin që ujërat e rezervuarit të vinin në impiantin e pastrimit me cilësi të mirë.
Masat për mbrojtjen ekologjike të ujërave të rezervuarit të Bovillës (sipas projektit shkurt 1996):
-pastrimin e shtratit të rezervuarit nga të gjitha mbetjet organike si trungjet e pemëve, mbeturinat e banesave, të varrezave qytetare, kafshëve të ngordhura etj., si dhe mbeturinave të ndryshme organike. Kjo nuk u krye plotësisht, gjë e cila verifikohet kur liqeni ka sasi të pakta uji;
-të bëhen pyllëzime të reja në bazë të një plani të studiuar, duke filluar në buzë të liqenit që do të krijohet, duke u shtrirë pastaj në të gjithë pellgun ujëmbledhës, të bëhet sistemimi malor i përrenjve baltore për t’iu prerë hovin, pyllëzimin e vatrave me erozion dhe shembje dheu, gërryerje të shpateve e të brigjeve, zona që çojnë në rritjen e turbullirës së ujërave që grumbullohen në liqen. Ky park të ruhet nga një personel i posaçëm;
-për të mënjanuar ndotjet për efekt të veprimtarisë njerëzore duhet të merren masa për mosplehërimin e tokave me herbicide dhe pesticide si dhe disiplinimin e ujërave të zeza të njerëzve e të kafshëve, në mënyrë që efektet e tyre në cilësinë e ujërave të Bovillës të jenë sa më të vogla;
-u theksua prania e ujërave në pellgun e Bovillës me përmbajtje të rëndë kimike, një problem jo i vogël për pastrimin e këtyre ujërave në të ardhmen.
Studimi limnologjik i Ujëmbledhësit të Bovillës (Tiranë 2009).
Ujëmbledhësi i Bovillës i formuar rreth 11 vjet më parë është furnizuesi kryesor me ujë të pijshëm (1200 deri 1800 l/s) për qytetin e Tiranës dhe gjithë zonën e banuar përreth.
Në studimin BOVILLA (Albania) STUDIM LIMNOLOGJIK (Tiranë 2009) autorët kanë bërë studimin kërkimor për njohjen e gjendjes fiziko-kimike dhe biologjike të ujërave të liqenit, njohjen e vlerave natyrore dhe biologjike të hapësirës së pellgut ujëmbledhës, ndikimin e njeriut nëpërmjet aktivitetit bujqësor, blegtoral dhe jetësor, ndikimin e mbulesës pyjore e të tjera. Shfaqja e disa dukurive të veçanta në vjeshtën e vitit 2001 dhe më pas shoqëruar me shije dhe erë të papëlqyeshme kanë nxitur akoma më tepër autorët për realizimin e këtij studimi. Në të vërtet studimi ka vlerë të veçantë, duke trajtuar një problem të rëndësishëm siç është cilësia e ujit të pijshëm për Tiranën me një popullsi mbi 850.000 banorë dhe se bëhet pas një periudhe mbi 10-vjeçare nga fillimi i funksionimit të këtij sistemi, që ka qenë shumë i diskutueshëm. Ky studim u mbështet financiarisht nga Fondacioni Kombëtar për Kërkimin (SNSF), nëpërmjet projektit të përbashkët kërkimor në kuadrin e programit SKOPES 2005-2008 (Bashkëpunimi Shkencor midis Evropës Lindore dhe Zvicrës).
Përfundimet e studimit
Në kryerjen e këtij studimi është analizuar një numër i madh kampionesh të marra nga tre stacione të përcaktuar paraprakisht.
Përfundimet e arritura për ujërat e rezervuarit të Bovillës janë të kënaqshëm për shumë parametra fiziko-kimike, cilësia e ujit i përket kategorisë A1 (klasa më e mirë) sipas standardit të BE, për ujërat sipërfaqësore që përdoren për ujë të pijshëm. Nivelet e ushqyesve dhe përmbajtja e lëndëve organike të tretura janë në nivele relativisht të ulura. Njëkohësisht nëpërmjet mostrave biologjike (fitoplanktonike) u konstatua se biomasa fitoplanktonike në këtë rezervuar është e pakët përgjithësisht, karakteristikë për ujërat oligotrofe të cilësisë së parë, por me prirje drejt gjendjes mesotrofe (cilësi e dytë). Përmbajtja e zooplanktonit, si një përbërës i rëndësishëm i këtij ekosistemi, ka karakter stinor, është relativisht me dendësi popullimi dhe ndikimi i njeriut është mjaft i dukshëm. Përsa i përket ngarkesës bakteriale, autorët arrijnë në përfundim se ujërat e Bovillës kanë tregues të ulët të ngarkesës bakteriale, që i korrespondon cilësisë A1 të standardit të BE-së të ujërave sipërfaqësore që përdoren për ujë të pijshëm. Këtu problem është ndotja nga aktiviteti i njeriut dhe bagëtitë, që shfaqet me praninë e koliformevet dhe streptokokëve fekale në ujërat e këtij rezervuari, duke përkeqësuar cilësinë e këtyre ujërave deri në A2. Përgjithësisht vlerat e larta përkojnë me fillimin e shirave, që ndihmojnë në shpëlarjen e jashtëqitjeve me origjinë njerëzore e blegtorale. Problem ka qenë shfaqja për herë të parë, duke filluar nga viti 2001 në periudhën vjeshtë deri në pranverë, i erës dhe shijes së papëlqyeshme në ujin e pijshëm, në disa raste mjaft e theksuar, mënjanimi i së cilës u arrit nëpërmjet përdorimit të qymyrit aktiv, duke rritur mjaft koston e prodhimit.
Në ujërat e rezervuarit të Bovillës vihen re përkeqësime për shkak të lëndëve të ngurta pezull, që shpesh kalojnë vlerën 25 mg/l, kategoria A2, me turbullirë të lartë, sidomos gjatë shirave, që shoqërohet me shtimin e përmbajtjes së hekurit Fe, të koliformeve dhe streptokokëve fekale. Por ka përkeqësime dhe në faza të tjera, kur ndodh shtresëzimi i ujërave të rezervuarit. Siç u përmend më sipër shfaqja e erës dhe e shijes së papëlqyeshme i ka shtyrë autorët që të tregojnë kujdes të veçantë. Ende nuk dihet qartë arsyeja e kësaj dukurie që përsëritet hera-herës; përveç trajtimit me qymyr aktiv ka kërkuar marrjen e disa masave parandaluese në ujëmbledhës. Mbështetur në të dhënat laboratorike shumëvjeçare të impiantit të Bovillës si dhe në të dhënat e mbledhura gjatë projektit të realizuar nga autorët e këtij studimi gjatë periudhës 2006-2008, duket se për shumë parametra fiziko-kimike, uji që vjen nga rezervuari i Bovillës i përket kategorisë A1 të standardit të BE-së për ujërat sipërfaqësore që përdoren për ujë të pijshëm, sidomos për fortësinë, kërkesën për oksigjen, nitratet e fosfatet etj. Megjithatë në ujërat e Bovillës vihen re përkeqësime siç përmendet më sipër në periudhën e rënies së shirave, në ujin e pijshëm është shfaqur herë pas here erë dhe shije e papëlqyeshme, pra në këtë gjendje në periudha të caktuara ujërat e Bovillës kalojnë në ujëra të një cilësie më të ulët, pra të kategorisë A2  deri në ujëra të kategorisë A3, pra të një cilësie jo të mirë.
Impianti i pastrimit të ujërave të rezervuarit të Bovillës
Ujërat që i përkasin kategorisë A1 kërkojnë përpunim të thjeshtë-filtrim të shpejtë dhe dezinfektim, ndërsa ata të kategorisë A2 kërkojnë përpunim të zakonshëm-paraklorim, koagulim, flokulim, dekantim, filtrim, dezinfektim përfundimtar me klorim, gjë e cila ndiqet rregullisht nga Impianti i Përpunimit të Ujërave të Bovillës dhe që shoqërohet me shtimin e shpenzimeve për pastrimin e ujërave. Për ujërat e kategorisë A3, pra ujëra me cilësi më të dobët të rezervuarit të Bovillës, në fazën kur ndodhin përkeqësime nga lëndët e ngurta pezull (që shpesh kapërcejnë vlerën 25 mg/l), ata ujëra paraqiten me turbullirë të lartë sidomos gjatë shirave. Në këtë periudhë vërehen dhe përkeqësime të tjera si në përmbajtjen e hekurit Fe, praninë e koliformeve dhe streptokokëve fekale. Për disa parametra të tjerë, cilësia e ujërave përkeqësohet kryesisht gjatë periudhës së shtresimit të plotë (maj-shtator) si për oksigjenin e tretur në shtresat e thella, duke prishur cilësinë e ujit deri në A2 e A3. Në këto raste për ujërat e kategorisë A3 kërkohet përpunim i thellë –klorim deri në pikën kritike, koagulim, flokulim, dekantim, filtrim, përpunim me karbon aktiv dhe klorim përfundimtar. Ky rast për Impiantin e Përpunimit nënkupton futjen në përdorim të Filieres së Karbonit Aktiv, e cila bëhet vetëm gjatë periudhës kur ndjehet shija dhe era e papëlqyeshme në këto ujëra. Pra, nëpërmjet Impiantit të Pastrimit të Ujërave të Bovillës bëhet e mundur pastrimi në çfarëdo gjendje të ujërave të marra nga rezervuari dhe qyteti i Tiranës furnizohet me ujë të cilësisë së garantuar sipas standardit shtetëror, duke bërë pastrimin e ujërave që vijnë nga rezervuari, qofshin këto të cilësisë A1, A2 apo A3. Por, problem është kostoja e këtij pastrimi. Gjatë periudhës 2006-2008 mesatarisht çdo vit janë harxhuar rreth 3.430.000 EU (afërsisht 418.460.000 lekë), me prirje në rritje. Me këtë kosto mund të thuhet se po përpunohen ujëra të ndotura për furnizimin e qytetit të Tiranës.
Propozime për të ardhmen
Meqenëse ujërat e rezervuarit të Bovillës kanë nevojë për pastrimin e tyre me një kosto të konsiderueshme, para se të furnizohet qyteti i Tiranës, si dhe duke pasur parasysh nevojën për shtimin e sasisë së ujit për Tiranën, është urgjente shikimi i mundësisë së gjetjes së burimeve alternative të furnizimit me ujë të Tiranës dhe pse jo edhe të Durrësit, të Kavajës dhe të komunave që kanë në afërsi, duke realizuar idenë e furnizimit me ujë të pijshëm edhe të katundeve. Burime me ujëra të cilësive të larta ka në afërsi të Tiranës dhe më larg në distanca 10-20 km deri në disa dhjetëra km e më tepër, transporti i të cilëve kushton shumë më lirë, në krahasim me shpenzimet e përvitshme për pastrimin e ujërave të rezervuarve, duke pasur parasysh koston e lartë të pastrimit të ujërave të ndotura. Nuk duhet të harrojmë se jo shumë kohë më parë Italia u interesua për marrjen e ujërave të burimit “Syri i Kaltër” në rrethin e Sarandës dhe dërgimin e këtyre ujërave në jug të Italisë, në distanca shumë të mëdha.
Me këtë realizohet ideja e transformimit të natyrës nëpërmjet kalimit të ujërave nga një pellg me rezerva të mëdha uji në një tjetër me më pak rezerva. Eshtë koha të mendohet për zgjidhje në perspektivë.
*Specialist hidrolog, Licencuar për vlerësimin e ndikimit në Mjedis
e Auditimin mjedisor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›