E Diel, 1 Nëntor 2026

Normaliteti i Ri

Ervin Bushati 

Ekonomia botërore ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj pas krizës së madhe që tundi themelet e financës globale. Ndërsa jemi të gjithë dakord se çfarë po kalojmë tani është një fazë tranzitore, shumica nuk janë dakord se kur dhe në çfarë niveli do të stabilizohet së fundmi barka e madhe ekonomike mbi të cilën lundrojmë të gjithë: tregu global. Teoritë e fundit ekonomike parashikojnë një pamje të qetësuar afër asaj që jemi mësuar të shohim dhe më parë, por jo tamam. Në horizontin e ekonomisë globale po qartësohet, ngadalë, por me siguri, një normalitet i ri. Papunësia është në nivele dyshifrore si në kontinentin e ri, ashtu dhe në Europë. Shtete të ndryshme po ndërmarrin masa të ndryshme; po të gjitha kanë të përbashkët një deficit të thelluar buxhetor. Shumë ekonomistë, dhe jo vetëm ata, janë të shqetësuar për shpenzimet e mëdha buxhetore që po përdoren për të nxjerrë ekonomitë e gjithë vendeve në zhvillim nga kriza më e fortë që ka parë bota që nga Depresioni i Madh në vitet 1930.
Asnjë nuk është i sigurt se sa mirë dhe saktë po shpenzohen këto fonde dhe sa i kanë lehtësuar dhimbjet e tkurrjes (recesionit) ekonomik, që kësaj here u manifestua si një fenomen global. Gjysma e amerikanëve besojnë se këto para nuk po shpenzohen ashtu siç duhet dhe po shpërdorohen përsëri, pa dalë nga rrethi vicioz i kësaj tkurrje të frikshme.
Ndonëse shumica e amerikanëve janë optimistë në ekonominë e tyre në vitin në vijim, vetëm 2% e tyre besojnë se ajo do të bëjë një rimëkëmbje të plotë në nivelet që ishte para krizës financiare. Shumë njerëz kanë humbur vendet e tyre të punës, ndërsa ata që punojnë janë të pasigurt dhe me rroga të ngrira në nivelin e dy viteve më parë. Ringritja do të jetë e gjatë, e vështirë dhe me pasoja në të ardhmen ekonomike dhe sociale të vendeve përkatëse.
Duket se shumë kanë vënë në dyshim efikasitetin ekonomik të modelit anglo-sakson të kapitalizmit, të pa sfiduar më parë deri më sot në një shkallë të tillë. Pikërisht kur rivali “lindor” i këtij modeli është larguar përfundimisht nga skena, dilema të mëdha ngrihen për një treg më social në natyrë dhe më të rregulluar në kuadër ligjor dhe ekonomik.
Ka supozime gjithmonë e më verbale se lufta e vërtetë kulturore në vendet e zhvilluara është ndaj konceptit të kapitalizmit si njihej deri më sot. Shumë njerëz e pranojnë që sot po vuajnë pasojat e një sistemi financiar tepër euforik, por as nuk po bien dakord me shpenzimet dorëshpuara të qeverive të tyre, që si rrugëdalje të vetme kanë parë rritjen e deficitit buxhetor. 
Ka një problem më themelor me skemat që financojnë pikërisht ato biznese dhe persona që ishin më dorëshpuar dhe morën borxhe kur nuk kishin “jorganin” për të mbuluar ato. Qytetari i kujdesshëm dhe i kursyer, sot paguan për gjithë plangprishësit financiarë nëpërmjet taksave që derdh në shtet. Kjo mënyrë e të vepruari, që penalizon të kujdesshmit duke larë me paratë e tyre borxhet e kompanive të papërgjegjshme, ngre pikëpyetje të forta ndaj modelit normal të tregut që jemi prezantuar deri më sot.
Ekonomia gjithmonë ka lundruar ndërmjet shkencës ekzakte dhe artit, sepse ka të bëjë dhe me veprime irracionale nga ana e pjesëmarrësve të ndryshëm në treg. Duke qenë një enë perfekte komunikuese, ajo është lidhur në mënyrë të pashmangshme me politikën, kulturën dhe rrethanat historike të një vendi. Sot më tepër së kurrë kjo lidhje e ndërsjellë kalon në një fazë më të avancuar, në një rrafshnaltë globale. Ndaj dhe zgjidhjet e problemeve të saj, që janë sa të lidhura aq dhe të prekshme nga gjithë ekonomitë botërore, do të jenë me ndikim të pashmangshëm për gjithë globin dhe tregun e përbashkët në të cilin marrim pjesë të tërë si racë njerëzore. Mënyra se si do të zgjidhen tërë dilemat dhe problemet e mësipërme do të krijojnë një realitet të ri, sa ekonomik po aq dhe politik e social. Kjo zhvendosje e njëtrajteshme drejt një balance tjetër, më sociale dhe më efikase njëkohësisht, do të jetë dhe Normaliteti i Ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›