E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do ringrihet Komisioni i Reformës Zgjedhore

Tiranë- Konferenca e Kryetarëve ka vendosur sot ringritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, për të zgjidhur problemin teknik të konstatuar në kod nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të afatit ligjor për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Në takimin e mbajtuar pak më parë, Konferenca e Kryetarëve vendosi që të ngrihet edhe njëherë komisioni iReformës Zgjedhore, brenda afatit që e lejon rregullorja.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, deputetit Astrit Patozi, komisioni do të ketë në dispozicion gjithë afatin që parashikon rregullorja. Ai ka theksuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë komison të ri, por për atë që ka qenë edhe më parë dhe që është marrë me hartimin e kodit.

Ndërkohë kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj ka sqaruar se Komisioni do të mblidhet vetëm për të shqyrtuar dekretin e presidentit. Sipas saj, ai nuk do të merret me diskutime për çështje të tjera në Kod, por vetëm për të saktësuar mospërputhjen që u konstatua nga kreu i shtetit Bamir Topi.

Kodi Zgjedhor u miratua në Parlament me shumicën e votave, pas një konsensusi të gjerë mes pozitës dhe opozitës. Por, pak ditë pas miratimit në Kuvend, presidenti Bamir Topi e ktheu mbrapsht permes nje dekreti presidencial për të rikthyer edhe një herë në Kuvend këtë ligj, me argumentin se ai krijon mospërputhje kohore me Kushtetutën për kryerjen e aktit të përcaktimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.Sipas Kodit, thuhet që, Presidenti është i detyruar që jo më shumë, ose jo më afër se nëntë muaj, pra, minimalisht nëntë muaj përpara, të dekretojë datën e zgjedhjeve. "Pra, merrni në konsideratë dhe kalkuloni kohën. Jemi në dhjetor. Unë, edhe sikur të kisha firmosur dekretin për ta miratuar ligjin, kërkonte dy javë për të kaluar në Fletoren Zyrtare dhe nga ai moment, përfytyroni se ku kalkulohet nëntë muajshi. Pra, zgjedhjet, që sipas Kushtetutës, zgjedhjet politike do të bëhen në pranverë, kalojnë të bëhen në vjeshtë, pra, ka një mospërputhje kushtetuese. Dhe, në këto raporte, Kushtetutë - ligj elektoral, mbizotëron Kushtetuta. Unë kam qenë i detyruar, duke qenë garant i Kushtetutës”, - tha Topi pas kthimit mbrapsh te Kodit, në komunikimin e tij me gazetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›