Një anije moldave rrezikon mbytjen
DURRËS - Ka shpëtuar nga ndihma e shpejtë e menjëhershme që i është dhënë një anije me flamur moldav, e cila po hynte në portin e Durrësit për përpunim të mallrave që kishte të ngarkuara në hambarët e saj. Anija me flamur moldav është rrezikuar seriozisht gjatë manovrës për të hyrë në portin e Durrësit duke kaluar në afërsi të fenerëve që ndodhen në Radë e që përcaktojnë kanalin hyrës në drejtim të portit. Duke qenë se ngarkesa që kishte nuk ka qenë lidhur siç duhet në brendësi të hambareve dhe lëkundjet gjatë kthesës që po merrte janë amplifikuar duke rritur ndjeshëm lëkundjet e anijes kanë bërë që pakot e melaminës të anohen duke u përqendruar në pjesët anësore të hambareve të saj, gjë që ka bërë që anija të anohej duke rrezikuar seriozisht për t’u mbytur në hyrje të portit të Durrësit. Ka qenë ora 06:20 kur anijes “San E” i është dhënë leja për t’u futur në portin e Durrësit. Sipas dëshmive të marinarëve të mjeteve detare që morën pjesë në operacionin e shpëtimit të saj dhe specialistëve të Kapitenerisë së Portit, kjo anije e ka filluar manovrën e ankorimit rreth orës 09:25. Në këto momente kur ajo po kapërcente zonën e dy fenerëve detarë, e ndikuar edhe nga dallgëzimi i rritur për shkak të erës që në ato momente ishte në rritje. Melaminat kanë filluar që të pozicionohen në njërin krah të anijes, gjë që ka bërë që ekuipazhi i saj të alarmohej dhe t’i kërkonte ndihmë autoriteteve shqiptare të Portit. Menjëherë janë dërguar rimorkiatorët, si dhe ekspertë me përvojë të pilotazhit , të cilët kanë luftuar disa orë për të drejtuar anijen drejt hyrjes së Portit dhe më pas për të ndihmuar në ankorimin e saj të vështirë. Sipas marinarëve të ekuipazhit të huaj që punonte në këtë anije të rrezikuar, batimi kishte filluar ngapak që në lundrim, por në momentet e manovrës së hyrjes kishte ndodhur batimi maksimal i saj duke kapërcyer një kënd mjaft kritik për të nën këndin 13 gradë pjerrësi. Realisht në anije lejohen lëkundje të momentit, por anime të tilla në krahët anësore të hambarëve duhet të ketë një baraznivelim të sigurt në këndin 90 gradë, gjë që e mban në ekuilibër gjatë lundrimit.