E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Ben Bitanit, për 100 milionë lekë

Nuk kanë dashur të thonë asgjë. Vetëm kanë publikuar deklaratën noteriale ku vërtetojnë shumën e parave që Afrim Rraboshta i kishte marrë të afërmit të tyre. Dhe janë pikërisht 50 mijë euro, 30 mijë dollarë dhe 500 mijë lekë të reja. Publikimi i deklaratës është bërë nga familja e Arben Bitanit teksa vajton të afërmin e saj. Ndërkohë, Përparim Rraboshta, bashkë me familjen e tij, gruan dhe tre fëmijët, dy djem e një vajzë, të cilët janë në klasën e shtatë, të tretë dhe të parë, janë larguar nga shtëpia e tyre dhe janë strehuar diku tjetër, pasi, sipas kanunit, u duhet të qëndrojnë të mbyllur derisa familja e viktimës të vendosë se çfarë qëndrimi do të mbajë. Deri tani, ndonëse është shumë shpejt, nga familja e viktimës nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me këtë ngjarje. Të njohur të të dyja palëve në Barbullush pohojnë se fisi Rraboshta nuk është lejuar të marrë pjesë në varrimin e Ben Bitanit që është bërë të martën në Shkodër, ndërsa i vetmi reagim i familjarëve të viktimës ka qenë deklarata noteriale e publikuar prej tyre, ku vërtetohet shuma e parave që autori i ngjarjes Afrim Rraboshta i kishte viktimës Arben Bitani. Ndërkohë, të enjten, gjykata e shkallës së parë në Shkodër vendosi si masë sigurie atë të arrestit në burg për Afrim Raboshtën. Ky i fundit vrau të hënën Arben Bitanin pas një sherri që bënë me njëri-tjetrin për një borxh prej 50 mijë eurosh, 30 mijë dollarësh dhe 500 mijë lekësh të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›