E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rraboshta: Vëllai më vrau mikun më të mirë

INTERVISTA/ Kreu i PSD-së së Shkodrës rrëfen nga vendi ku është fshehur se ndien keqardhje për krimin e kryer nga i vëllai

Rraboshta tregon se edhe fëmijët e tij e kanë parë skenën e vrasjes, teksa kanë mbetur të shokuar nga pamja

“Benin e kisha mik. Më ka qëndruar pranë në ditë të vështira”. Këto janë fjalët që thotë nga vendi ku është fshehur kryetari i PSD-së së Shkodrës, Përparim Rraboshta, njëkohësisht vëllai i personit që vrau Arben Bitanin ditën e hënë. Teksa është larguar nga banesa e tij për të pritur vendimin e familjes së viktimës lidhur me faljen, Përparimi me sy të përlotur thotë se nuk kishte asnjë dijeni për borxhin që i vëllai i kishte viktimës derisa kishte marrë nga vetë familja kopjen e noterizuar që vërtetonte shumën e madhe të parave. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ai rrëfen marrëdhëniet me Arben Bitanin dhe të vëllanë, vrasjen, lajmërimin e policisë.

Përparim, ç’marrëdhënie kishit me Arben Bitanin?

Për mua, Beni ka qenë një mik e shok i ngushtë, i cili më është gjendur pranë në momente të vështira të jetës sime, atëherë kur në vitin 2006 katër maska të zeza hynë në banesën time në Barbullush dhe terrorizuan gruan e fëmijët e mi për dy orë. Unë e Beni kemi pasur miqësi të sinqertë, lidhje familjare dhe kemi drekuar shpesh bashkë me familjet tona. Këtë e dëshmojnë edhe fotografitë e shumta të bëra në ambiente të ndryshme. Dua të them se bashkë me Arbenin kemi thurur ëndrra për të ardhmen, ëndrra të cilat na i shkatërroi vëllai im me veprimin e tij të shëmtuar dhe të rëndë. Jetoj me brengën që nuk munda ta ndaloj këtë tragjedi, pasi mora vesh për konfliktin në një kohë që, edhe pse u ktheva dhe shkova atje, ishte vonë.

Si e morët vesh ngjarjen?

Benin të vrarë e kam parë me sytë e mi. E panë edhe fëmijët. Unë jetoj në Shkodër dhe atë ditë shkova te shtëpia e babait në Barbullush, ku jeton edhe vëllai Afrimi, pasi ishte festa e Kurban Bajramit. Afrimi nuk ishte aty dhe nuk erdhi, megjithëse e pritëm gjatë. Pas drekës po kthehesha në shtëpi dhe isha pranë fshatit Beltojë kur më telefonoi shoku e miku im Ben Bitani, që më uroi për festën e më tha se të nesërmen do më vinte në shtëpi. Më tha gjithashtu se me të ishte edhe im vëlla. Kaq ishte biseda e parë, pasi më telefnoi sërish duke më kërkuar të merresha vesh me Afrimin, pasi i kishte marrë disa para borxh. Telefonin ia kaloi Afrimit (Mili i thërrasim ne), por ai më tha se i zgjidhin vetë punët. I thashë se kisha gruan e fëmijët me vete dhe do të kthehesha, por ai ma mbylli telefonin. I rashë sërish telefonit, por nuk e hapi. Kështu që u ktheva mbrapsht me gruan e fëmijët. Kur u afrova pranë shtëpisë së tim eti pashë makinën e Benit në rrugë dhe Benin që ndodhej i vrarë në të. Skenën e panë dhe fëmijët që u terrorizuan. Shkova në shtëpi e i thashë babait se Beni ishte vrarë para shtëpisë dhe se kishte pasur probleme me Milin. Më pas njoftova policinë, ndërsa me vëllanë s’kam komunikuar pasi e kishte mbyllur telefonin.

Kishit dijeni për borxhin që i kishte vëllai juaj?

Nuk e dija dhe Beni nuk ma ka përmendur asnjëherë këtë fakt, përveçse kur më mori në telefon e më kërkoi të ndërhyja te vëllai. Afrimi jeton në Barbullush dhe nuk më tregonte për punët e tij. E besoj se i ka pasur para borxh. Kjo vërtetohet dhe nga deklarata noteriale që për herë të parë e pashë sot. Beni nuk i binte në qafë askujt. Jam gati të betohem kudo, në kishë a xhami, në prani të pleqnisë, se vëllai nuk më ka treguar për borxhin. Po ta dija këtë, do të ndërhyja unë dhe Arbeni sot do të jetonte. Me të kam humbur mikun tim më të mirë dhe këtë e rëndon fakti që tragjedinë e shkaktoi im vëlla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›