E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, pranga gardianit, tentoi të fusë drogë në burg

ARRESTIMI/ Pas kontrolleve të ushtruara në burgun e Shënkollit, është arritur të zbulohet lëndë narkotike

LEZHË – Kapet me drogë një nga gardianët e burgut të Shënkollit, në ambientet e brendshme të këtij institucioni dhe vihet në pranga nga forcat e policisë së Lezhës. Burimet zyrtare bënë të ditur se është arrestuar Marjan Gjoni, 36 vjeç, nga fshati Tale i Lezhës, me detyrë gardian i burgut të Shënkollit. Gjoni është vënë në pranga pas një kontrolli që ka ushtruar mbi të Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pasi iu gjet një sasi e vogël lëndësh narkotike. Bëhet e ditur se Gjoni është denoncuar nga vetë të burgosurit.

Rreth orës 01:40, Marjan Gjonit iu komunikua kërkesa për një kontroll fizik nga Shërbimi i Kontrollit të brendshëm në burgun e Shënkollit. 35-vjeçarit i është gjetur në xhepat e pantallonave një qese plastmasi e tejdukshme, brenda së cilës ndodheshin 3 gramë lëndë e dyshuar si narkotike. Sasia e drogës e cila iu gjet punonjësit të burgut u sekuestrua nga forcat e policisë për t’u përdorur si provë kundër tij. Sipas bluve, ai ka tentuar ta shiste lëndën narkotike tek të burgosurit e katit në të cilin kryente detyrën.

Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se 36-vjeçari Gjoni kishte kohë që ishte nën vëzhgim, pas të dhënave që kishin marrë se gardiani ishte një “tregtar” i lëndës narkotike në ambientet e burgut. Si rrjedhojë, ai është vëzhguar edhe përmes kamerave. Mësohet se kanë qenë vetë të burgosurit që kanë raportuar tek drejtuesit e burgut “punën” tjetër të Gjonit. Pas arrestimit, 36-vjeçari nuk ka pranuar se sasia e drogës e kapur i përkiste atij, duke tentuar të shprehë se ka qenë dikush tjetër që ia ka futur këtë sasi lënde narkotike në xhep. Megjithatë, duke marrë parasysh denoncimet e bëra, si dhe vëzhgimet e kryera kundrejt tij, nga organi i akuzës është ngritur akuza e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›