E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, këshilltari i PD-së grushton nënkryetarin e këshillit

Shkak për grindjen mes anëtarëve të këshillit ka qenë diskutimi për presidentin e skuadrës së futbollit të qytetit

LIBRAZHD – Grushtat kanë qenë “diskutimi” i radhës në mbledhjen e këshillit bashkiak të Librazhdit gjatë ditës së djeshme. Mësohet se gjatë mbledhjes së radhës, këshilltari i Partisë Demokratike, Florian Haxhiu, (ish-drejtor i Zyrës Arsimore Librazhd, i shkarkuar nga kjo detyrë për dhunë dhe ofendime ndaj personelit të mësuesve dhe moszbatim të direktivave të qeverisë) ka fyer dhe qëlluar me grushte nënkryetarin e Këshillit Bashkiak, Fatmir Ozuni. Shkak për grindjen mes dy anëtarëve të këshillit ka qenë një diskutim për emërimin e presidentit të ri të skuadrës së futbollit të qytetit të Librazhdit. Kështu, në pikën për Sportin, demokrati ka propozuar që Refik Kumria të ishte president i ekipit “Sopoti”. Por ndërkohë, nga ana e Fatmir Ozunit, me detyrën e nënkryetarit, është kërkuar që më parë të sqarohet se përse ishte shkarkuar presidenti i mëparshëm dhe pastaj të shqyrtohej biografia e personit të propozuar. Sipas Ozunit, ai ka kërkuar që t’u jepet një biografi e Kumrisë, duke përfshirë alternativat që ai ofronte, por edhe nëse kishte kryer detyrimet ndaj shtetit. Një kërkesë e tillë, sipas nënkryetarit, ka sjellë në një reagim shumë të ashpër të Haxhiut, i cili e ka quajtur të padrejtë këtë kundërshtim për propozimin e tij, duke ushtruar presion dhe dhunë për miratimin e Kumrisë së president i “Sopoti”-t. Ndërkohë, persona të tjerë brenda këshillit e kanë “cilësuar” Kumrinë si një person i cili më parë ka shitur ndeshjet e ekipit të Sopotit, pasi edhe para disa kohësh ka qenë president i kësaj skuadre. Ndërkohë, mësohet se këshilltari i PD-së, Florian Haxhiu, ka fyer me fjalë të rënda nënkryetarin Ozuni për kërkesat e tij, si dhe e ka qëlluar me grusht, duke e kërcënuar: “Ti duhet të miratosh ato që themi ne!”. Edhe këshilltari i PDS-së, Rrapush Bahiti, e ka pohuar konfliktin e ndodhur në këshillin bashkiak duke u shprehur se “Haxhiu ka qenë gjithmonë problematik, pasi kërkon me forcë miratimin e ligjeve në kundërshtim me rregullat e shtetit. “Dyluftimi” mes këshilltarit të PD-së dhe nënkryetarit të këshillit është ndarë nga të pranishmit, ndërkohë që Fatmir Ozuni shprehet se çështjes do t’i japë zgjidhje prokuroria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›