Do rishihet udhëzimi për pagesat
Ministra e arsimit do të shqyrtojë udhëzimin për ngarkesën mësimore të pedagogëve, i cili është kundërshtuar nga trupa pedagogjike e universiteteve. Pas kërkesës së bërë së fundmi nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, për rishikimin e këtij udhëzimi, ministria ka vendosur ta shqyrtojë atë për të marrë më pas edhe vendimin final për këtë çështje. Deri në marrjen e vendimit të ri për ngarkesën mësimore, qindra pedagogë jo vetëm të Universitetit të Tiranës, do t’i shtyjnë ditët e punës me një mbingarkesë orësh në auditorë, falë udhëzimit që Ministria e Arsimit ka lëshuar për të dytin vit radhazi, “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të Arsimit të Lartë”. Konvertimi i mësimdhënies së normuar vjetore në orë mësimore është një nga pikat kryesore që pedagogët kundërshtojnë në këtë udhëzim, e cila sipas tyre, është tepër abstrakte.