Pedagogët e “shtetit” jo te privati
zirina llambro
Universitetet publike deri tani kane qenë mjaft tolerantë me stafin akademik. Kjo ndoshta edhe me kosto direkte mbi cilësinë e mësimdhënies në auditorë. Sipas shifrave të Ministrisë së Arsimit mbi 40% e pedagogëve tek privatët janë të “rekrutuar” pikërisht nga këta universitete. Ankesat prej studentëve janë të kahershme. Për shkak të pagesave më të majme në jo pak raste është vënë re një angazhim i lartë në shlyerjen e detyrimeve në universitete private dhe neglizhencë për publikun. Këtë problematikë e ka evidentuar që në nisje të vitit akademik edhe Rektorati i Universitetit të Tiranës. Për rrjedhojë dje një urdhër i ri është dërguar në të gjitha fakultetet. Me anë të tij personeli akademik i universiteteve publike ndalohet të japë mësim te privatët për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve. Nëse nuk zbatohet pedagogëve do t’u ndërpritet kontrata. Urdhri vjen pas mbledhjes së rektoratit 3 ditë më parë nga ku rezultoi se janë ngritur shqetësime qoftë nga këshillat studentorë, qoftë nga dekanët mbi prezencën e pedagogëve në auditorë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë kërkimore. “Për rrjedhojë, personeli akademik efektiv të mos angazhohet në mësimdhënie në institucione private të arsimit të lartë në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, ndërsa në Universitetin Europian të Tiranës në asnjë nga ciklet e studimit”, thuhet në urdhrin e Rektoratit. Ndërkaq, në të theksohet se të gjitha strukturat drejtuese të UT dhe njësitë përbërëse të tij të marrin masa për forcimin e zbatimit të detyrimeve ligjore për personelin akademik dhe stafin administrativ që ato drejtojnë. “Urdhri lëshohet bazuar në nevojën që personeli akademik ka për të ushtruar funksionet e tij në përputhje me ligjin për arsimin e lartë, statutin dhe rregulloret e UT, si në përputhje me ligjin “Për arsimin e lartë” edhe në drejtim të procesit të mësimdhënies ashtu edhe për veprimtaritë e tyre kërkimore shkencore”, thuhet në dokument. Një tjetër arsye për lëshimin e urdhrit që ndalon dhënien e leksioneve në universitete private është edhe rritja e numrit të studentëve në të gjitha fakultetet si dhe hapjes së programeve të reja të studimit. Në të tilla kushte paraqiten probleme në mbulimin këtyre programeve mësimore. Po kështu nga sa theksohet në urdhrin e Rektoratit nga këshillat studentorë janë paraqitur shqetësime lidhur me prezencën e personelit akademik në auditorë, nivelit dhe angazhimit në mësimdhënie dhe mundësive të pakta të kontakteve me pedagogët.