E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja Baze dhe radha e gjërave

HENRI ÇILI 

Pas tronditjes së publikut dhe medias së lirë nga ngjarja e gazetarit Mero Baze dhe reagimeve të para, një debat ka filluar rreth çështjes Baze. Të bashkuar të gjithë në dënimin e një akti të shëmtuar të biznesmenit Razart Taçi, në diskutimet për shkaqet dhe domethëniet e kësaj ngjarjeje, në mënyrën më të natyrshme opinionet ndahen. Ndërsa nuk ka dilema, në dënimin e aktit apo në domethëniet tejet shqetësuese të arrogancës së tipit Taçi, a mund të përdoret shqetësimi për problemet etike që manifeston gazetaria e modelit të Mero Bazes si një mënyrë për të përligjur një ngjarje të tillë, një reagim të tillë?
Tek gazetaria e modelit Baze, fatkeqësisht rrinë në mënyrë kontradiktore dhe guximi i përhershëm për të thënë të vërtetën edhe ashpërsia e mungesa etikës në thënien e saj apo të pjesëve të saj, mund të gjejmë shumë defekte dhe shkelje të etikës, mund të gjejmë shumë herë cënim të personalitetit të individit apo cënim të pronës dhe reputacionit të tij. Gjithkush që e mbron sot këtë argument gjen shumë ilustrime të sa më sipër thënë në gazetarinë e këtij personazhi të pashmangshëm të historisë dhe aktualitet të medias shqiptare të tranzicionit. Është pikërisht kjo që e ka bërë Mero Bazen, herë gazetarin e urryer, e herë gazetarin e adhuruar të pjesëve të ndryshme të publikut. Por mund të shërbejë kjo, pikërisht sot, pikërisht në këtë moment, pikërisht në këto rrethana, për të legjitimuar – de fakto një akt dhune dhe arrogance të tipit Taçi. Asesi JO!
Ndërsa shoqëria shqiptare dhe media shqiptare janë në një nevojë urgjentë për të bërë me themel debatin mbi etikën e medias shqiptare, mbi fyerjet, ofendimet mbi shpifjet apo cënimin e personalitetit të individit publik, privat, të njohur apo të panjohur, ky nuk është momenti. Gjërat kanë radhën e tyre. Është nga ato ngjarje, të cilat nuk kanë ekuivok, të cilat nuk mund të përligjen nga asgjë. Një prezantim i tillë banal dhe arrogant i këtij tipi biznesmenësh është kërcënim për lirinë në këtë vend. 
Pikërisht për këtë, goditja barbare ndaj gazetarit Mero Baze nga dora e vetë Rezart Taçit, pasuar nga truprojat, e tij ka një konsensus absolut në të gjithë shoqërinë shqiptare, nga Presidenti i Republikës e deri tek qytetari më i fundit. Sigurisht që ka një, dy apo shumë “POR” në diskutimin e kësaj ngjarje. Por sot nuk është dita të bëjmë “POR”. Sot është dita të themi vetëm “JO”. Të themi jo ndaj idesë që një individ të preket, cilido qoftë ai, të themi JO në katror idesë që një gazetar të goditet, t’i themi JO në kub idesë që një gazetar të goditet nga një njeri i fuqishëm i biznesit afër politikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›