E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat dhe DND, shtohen dhe 400 kuota të reja pranimi

 

Shtohen 400 kuota të reja për mastera të nivelit të parë dhe ciklin e dytë të studimeve. Qeveria bëri dje një ndryshim në vendimin e datës 30 shtator, duke vendosur  numrin total të pranimeve për këtë vit akademik, dhe skemën sipas së cilës do të ndahen ato. Gjithsej do të jenë 7495 kuota në institucionet publike të Arsimit të Lartë. Më shumë studentët do të pranohen për ndjekjen e masterave të nivelit të parë. Gjithaq, pas tre vjetësh kërkesash nga drejtuesit e Fakultetit të Drejtësisë, më në fund janë miratuar dhe masterat e nivelit të dytë për këtë fakultet. Të interesuarit kanë dy javë kohë për të aplikuar. “Është miratuar hapja e masterave të nivelit të dytë për departamentin e të drejtës publike, të drejtës penale dhe departamentin e të drejtës civile, ndërkohë që me një vendim të mëparshëm, i është dhënë OK dhe një masteri tjetër që quhet master EU business laë, apo e drejta e biznesit e BE”, shprehen drejtuesit e këtij fakulteti. Mesatarja, botimet, vjetërsia në punë, puna që aktualisht bën, certifikatat e gjuhës së huaj, do të jenë disa kritere. Masterat e nivelit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë kanë një kohëzgjatje prej 18 muajsh dhe vlera e tyre shkon në 100 mijë lekë. “Kandidatët që do fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë në institucionet publike të Arsimit të Lartë, në vitin akademik 2009-2010, dhe u përkasin shtresave sociale si të verbër, invalidë, të shurdhër, fëmijët e policëve të vrarë e ata romë, si dhe të përndjekurit politikë, do paguajnë kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit”, thuhet në vendimin e qeverisë. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit, krahasuar me një vit më parë, ka një rritje me afro 2300 kuota pranimesh në këto programe. MASH saktëson se 10% e kuotës së çdo programi studimi të ciklit të dytë është parashikuar për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë vendit. Ndërkaq në vendim saktësohet se në programet e studimit “Master i nivelit të parë” në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, si dhe për lëndët fizikë e matematikë të gjithë studentët që kanë pasur mesatare mbi 8 në ciklin e parë, nuk do të paguajnë tarifën e shkollimit. “Studentët që transferojnë studimet nga një program studimi të ciklit të dytë në një tjetër, i nënshtrohen tarifës së shkollimit të programit të studimit përkatës”, thuhet në vendim.

kuotat

1. Kuota e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e  studimeve të ciklit të dytë dhe “Master i nivelit të parë”, me kohë të plotë, për vitin 2009-2010, të jetë 7 495 dhe të ndahet, sipas skemës së mëposhtme:

a)  Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit
të dytë (DND),                                 2 830

b)  Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit
     “Master i  nivelit të parë” (MNP),                       4 395

c)  Kuota për programe të dyta studimi,                                                                 100

ç)  Kuota për transferimin e studimeve,                                                                 100

d)  Kuota për të huajt,                                                                          50

dh)  Kuota për të verbërit (të veçanta),                    20

 
 
“2. Kuota e pranimeve të reja, për programet e studimeve të ciklit të dytë, dhe     “Master i nivelit të parë”, me kohë të plotë, përbëhet nga:

a)     Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë
(DND), për kandidatët brenda territorit të vendit,                 2 547

b)  Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë
(DND), për kandidatët shqiptarë nga  trojet jashtë kufijve të vendit,     283

c)  Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit
“Master i nivelit të parë” (MNP), për kandidatët brenda
territorit të vendit,                            3 955

ç)  Kuota e pranimeve të reja për programet  e studimit          
 “Master i nivelit të parë” (MNP), për kandidatët shqiptarë nga trojet
jashtë kufijve të vendit,                                                            440

Sa kredite duhen për diplomat
Për secilën nga tipat e diplomave që fiton, studenti duhet të grumbullojë numrin e krediteve të përcaktuara në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Programet e studimit të ciklit të parë, programet e studimit të ciklit të dytë, programet e integruara të studimit të ciklit të dytë dhe programet e studimit të doktoratës, organizohen në cikle të njëpasnjëshme studimi dhe sipas cikleve, lëshohen llojet e diplomave. Kemi 4 të tilla. Kështu për të fituar një diplomë të nivelit të parë (DNP), studenti duhet të ketë grumbulluar 180 kredite. Për të fituar një diplomë të nivelit të dytë (DND), studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite. Për të fituar një diplomë të integruar të nivelit të dytë (DIND), studenti duhet të ketë grumbulluar së paku 300 kredite. Për të fituar një diplomë të masterit të nivelit të parë (MNP), studenti duhet të ketë grumbulluar 60 kredite. Për të fituar një diplomë të masterit të nivelit të dytë (MND), studenti duhet të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›