E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morali politik dhe shoqëria

Agron Duka 

A ka moral politika? Po politikanët që e ushtrojnë këtë profesion, a janë gjithmonë të moralshëm? Problemi më shqetësues është se si sillet politika kur gabon, përse politikanët nuk kërkojnë kurrë falje për më tepër kur ky gabim është i qëllimshëm? Si mund të kalojnë në heshtje fyerjet, sharjet madje edhe shpifjet që kanë bërë për njëri-tjetrin kundërshtarë politikë të pak kohëve më parë apo aleatë të sotëm?
Ky fenomen shtrihet në të dy krahët e politikës. Në momente të veçanta, kur iu cenohet pushteti shfaqen të egër e agresivë, por pika më kulmore e amoralitetit është kur thonë “kjo ishte loja”.
Mos vallë ky është profesioni i politikanit të sotëm? Më lind kjo pyetje mbasi jo rrallë ndodh të dëgjojmë edhe nga njerëz të thjeshtë të thonë: “Sidoqoftë është i zoti, e arriti atë që deshi”. Dhe ajo që deshi është pushteti.
Të arrish në pushtet është e moralshme, sepse në fund të fundit ky është profesioni i një politikani, por mënyra se si e arrin atë është shumë e rëndësishme. Për një pjesë jo të vogël të politikanëve shqiptarë nuk ka kurrfarë rëndësie mënyra, por vetëm arritja e qëllimit.
Nuk harrohen lehtë sjelljet e pahijshme të disa politikanëve tanë, fyerjet që ata i kanë bërë publikisht njëri-tjetrit, krenarë e me zë të lartë edhe nga tribuna të nderuara, fyerje që do t’i kishin zili edhe të burgosurit ordinerë. Fraza të tilla si hajdut, kriminel apo drogaxhi disa nga politikanët tanë i kanë përdorur si të ishin lëvdata dhe jo akuza ndaj kundërshtarëve të tyre.
“Shfaqja” e fundit për nga radha, por jo për nga intensiteti i sharjeve, ishte ajo ndërmjet anëtarëve të Këshillit Bashkiak në Tiranë, të cilët me një fjalor të papërshtatshëm iu vërsulën njëri-tjetrit sikur të ishin armiq e jo miq të Tiranës. Ajo që ra në sy edhe këtë herë ishte se njerëz që spikasin për karakter të qetë në jetën e tyre të përditshme u shfaqën shumë nervozë e agresivë. Kjo ndodh shpesh në “debatet” e ndezura të disa politikanëve. Të tilla raste janë bërë të zakonshme, madje prezenca e mediave bën që agresiviteti i politikanëve të bëhet edhe më i madh dhe ata denatyrohen edhe më shumë.
Mos vallë nuk e kuptojnë ata se kështu gabojnë? Sigurisht që po, madje e kuptojnë edhe më mirë se ne të tjerët. Atëherë përse veprojnë kështu? Arsyeja është se ata e kanë kuptuar se kështu kuptohen më mirë nga shefat e tyre, kështu e kanë më të lehtë për të arritur aty ku duan dhe se kjo është mënyra më e shpejtë e efektive për t’i hapur vetes portat drejt një karriere politike më të sigurt, kështu mund të kalojnë nga stoli i rezervave në lojtarë formacioni. Pra në një farë mënyre ata tregohen të zotë në të kuptuarit e “profesionit” të ri dhe harrojnë që në radhë të parë janë njerëz që shihen nga mijëra sy e në këtë rast ata nuk i takojnë vetëm vetes së tyre. Këta politikanë janë figura publike, vlerësohen nga ata që i kanë zgjedhur dhe shpesh-herë bëhen dhe modele sjellje nga publiku. Kështu lind një problem edhe më i madh se ai i pari, jo për deformimin që ata pësojnë në karakter, por për atë imazh negativ që ata përcjellin në popull, i cili i kalon caqet personale dhe është në dëm të shoqërisë.
Të bie në sy fakti që shpeshherë politikanë “të suksesshëm” quhen ata që shajnë “kundërshtarin”, sajojnë akuza të pavërteta dhe përgojojnë familjarë të kundërshtarëve të tyre politikë.
Kështu nuk veprojnë, sepse mendojnë se thonë të vërtetën, pasi me të njëjtin arsenal fyerjesh sillen edhe ndaj aleatët e sotëm nëse nesër do të jenë kundërshtarë. Anasjelltas ndodh kur nga kundërshtarë bëhen aleatë. Inflacion lëvdatash pa kursim për njëri-tjetrin, gati të krijojnë përshtypjen se pa këta çifte të rinj, që më në fund vunë re ngjashmëri te njëri-tjetri, politika shqiptare qoftë ajo e majtë apo e djathtë. 
Raste të tilla janë të shumta dhe po kthehen në fenomene normale që nuk i bëjnë më përshtypje kurrkujt. Duke kërkuar ndjesë e duke larguar nga vetja çdo shenjë mendjemadhësie, dua të shtroj një pyetje ndoshta për të gjithë shoqërinë: Përse me kriminelët, gënjeshtarët apo mashtruesit sjellja është ndryshe, ata dënohen, madje nuk ka gjykatë, qoftë edhe më e korruptuara që të mund t’i shpëtojë nga opinioni publik? Ata mund të jetojnë të lirë, por gjithmonë janë të përbuzur e të padëshiruar. Përse shoqëria jonë nuk peshon me të njëjtin kandar edhe politikanët? Përse një politikan që shpif, mashtron e gënjen, mjafton të fitojë pushtetin, ne e cilësojmë të zotin e nuk e largojmë, por ndonjëherë edhe e afrojmë? Politikanët janë pjesë e shoqërisë e duhen parë si të tillë, kur gabojnë të penalizohen, jo vetëm juridikisht e moralisht, por edhe me votë. Vetëm kështu mund të lakmojmë një shoqëri të civilizuar, vetëm kështu mund të pretendojmë për integrim të vërtetë. Ne mund të bëhemi shtet anëtar i BE sepse duhet të na bëjnë, por rruga drejt Brukselit do jetë shumë e vështirë. Nëse i dënojmë, i përbuzim e i përçmojmë ata politikanë që gënjejnë e mashtrojnë, që shpifin e sajojnë, i bëjmë një të mirë vendit. Në të kundërt do të vuajmë nga agresiviteti e shpifja që vetë ne e kultivojmë tek ata  politikanë që me ironi thonë: “Nuk është faji ynë, kështu na duan ata që na votojnë”.
Ç’faj kanë ata kur ne i aprovojmë kur gabojnë, i besojmë kur na gënjejnë, i brohorasim kur na mashtrojnë, i mbështesim kur na vjedhin, i votojmë edhe kur na vrasin. Prandaj lufta ndaj amoralitetit politik është shumë e vështirë për t’u fituar. E vetmja shpresë mbetet te shoqëria shqiptare, e cila me eksperiencën e saj tashmë 20-vjeçare në pluralizëm do të dijë të përdorë atë që ka armën më të fortë, votën për të pastruar politikën, sepse kështu do t’i shërbejë edhe vetes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›