E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat e partive, transparenca e munguar

Musa Ulqini 

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 32 muaj nga përfundimi i zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit 2007 dhe katër muaj nga përfundimi i zgjedhjeve të përgjithshme elektorale të 28 qershorit, ende asnjë parti politike nuk ka bërë transparencën e kostos së këtyre zgjedhjeve. Më tej akoma, asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka bërë deri më sot të ditura për publikun deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre vjetore.
Neni 9 i Kushtetutës
Transparenca e financimit të partive politike është jo vetëm një kusht themelor i funksionimit të shoqërive demokratike, por në Republikën tonë edhe një kërkesë kushtetuese. Në pjesën e parë të Kushtetutës, ku flitet për parimet themelore të funksionimit të Republikës, transparenca e financimit të partive politike është sanksionuar qartë në nenin 9, pika 3, ku thuhet: “Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike”.
Në ç’raport janë partitë politike shqiptare me këtë kërkesë të Kushtetutës? Është shumë e vështirë, në mos e pamundur, që publiku i gjerë dhe kushdo i interesuar, të ketë mundësi të njihet me burimet financiare të partive dhe shpenzimet e tyre! Në faqet e internetit partitë politike publikojnë çdo ditë të dhëna gjithfarëlloj për veprimtaritë e tyre, por në asnjë rast askush nuk ka publikuar deri më sot raportet vjetore për financat, edhe pse Kushtetuta i detyron partitë politike t’i bëjnë publike financat e tyre.
Ligji për partitë politike
Në Ligjin nr.8580, datë 17.02.2000, “Për partitë politike” në nenin 23 të tij thuhet: “Kontrolli i Lartë i Shtetit është organi kompetent i ngarkuar me funksionin e kontrollit financiar mbi partitë. Ky kontroll nuk do të kufizohet vetëm në pjesën e buxhetit të partive që sigurohen nga fondet publike, por do të mbulojë edhe dhuratat dhe ndihmat e përfituara në rrugë të tjera”. Edhe pse ky ligj ka 9 vjet që është në fuqi, asnjëherë deri më sot nuk është publikuar një raport për transparencën e financave të partive politike nga ky institucion, edhe pse institucionet ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë e kërkojnë një gjë të tillë. 
Ndryshimet e bëra vitin e kaluar në Kodin Zgjedhor për këtë çështje ishin një hap pozitiv përpara, por gjithsesi shumë larg asaj çfarë kërkohet në rekomandimin e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës të vitit 2003 për transparencën në financimin e partive politike.    
Progres-raporti i BE
Në progres-raportin e BE të publikuar në 14 tetor, në kapitullin 2.1 “Demokracia dhe Shteti i së Drejtës”, në pjesën ku flitet për politikat anti-korrupsion theksohet: “Transparenca e financimit të partive politike mbetet një çështje shqetësuese që duhet trajtuar”. Më tej në raport theksohet se në Shqipëri mungojnë mekanizmat e duhur për të hetuar deklaratat e partive politike për financimin e tyre dhe nuk ka dispozita ligjore që i detyron partitë politike të deklarojnë dhuratat dhe financimet nga individë dhe sektori privat.
Progres-raporti i BE që publikohet çdo vit është dokumenti më i rëndësishëm monitorues i ndërkombëtarëve për Shqipërinë, sa kohë që objektivi parësor i të gjithëve ne është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Ja pse vërejtjet dhe rekomandimet e këtij raporti janë “detyra shtëpie” për të gjithë.
Raporti për zgjedhjet i OSBE/ODIHR
Në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet elektorale të 28 qershorit, të publikuar në 14 shtator, në pjesën e rekomandimeve theksohet: “Vëmendje duhet t’i kushtohet ndryshimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me financimin e fushatës, të cilat duhet të parashikojnë deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës”. 
Ky rekomandim i rëndësishëm është i lidhur me konstatimin që bëjnë vëzhguesit e OSBE/ODIHR në kapitullin “Financimi i fushatës”, kur theksojnë se transparenca e financimit të partive politike është larg asaj që duhet të jetë.
Raporti i Këshillit të Europës
Në 15 maj 2009, Këshilli i Europës publikoi në Strasburg raportin e tij të tretë për luftën kundër korrupsionit të shteteve anëtare të grupuar në projektin GRECO. Kapitulli i dytë i këtij  raporti (pjesa për Shqipërinë) trajton transparencën e financimit të partive politike. Në raport theksohet se: “Deri tani niveli i transparencës së financimit të partive politike është i ulët dhe jo në linjë me Standardet e vendosura nga Rec (2003)4 të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës”. Gjithashtu raporti nënvizon se deri tani asnjë mbikëqyrje thelbësore dhe asnjë investigim serioz nuk është kryer për të verifikuar saktësinë e financimit të partive politike.
Raporti i SIGMA
Në maj të vitit 2009 u publikua raporti për Shqipërinë, hartuar nga SIGMA, iniciativë kjo e përbashkët e OECD dhe BE. Në këtë raport vlerësohet lufta kundër korrupsionit e institucioneve shqiptare. Pjesë e rëndësishme e këtij raporti është edhe vlerësimi për transparencën e financave të partive politike. Raporti bën këtë vlerësim për çështjen në fjalë: “Financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore ka qenë një njollë e zezë në integritetin e sistemit politik të 18 viteve të fundit”.  
Transparenca si kërkesë e publikut
Transparenca e financimit të partive politike është jo vetëm një kërkesë kushtetuese, është jo vetëm një kërkesë e ndërkombëtarëve, por edhe një kërkesë e publikut që voton.
Transparenca e financimit të partive politike, sidomos gjatë fushatave elektorale është thelbësore për qeverisjen e ardhshme. Kjo, sepse individë të pasur e grupe të caktuara interesi mund të bëjnë përpjekje për të “blerë” me para gjatë fushatave favore në qeverisjen e ardhshme, duke financuar në kundërshtim me ligjin lidershipin e partive politike në pushtet ose opozitë.
Është e rëndësishme që publiku që voton të jetë i mirinformuar për burimet e financimit të partive politike e kandidatëve që konkurrojnë, përpara se ai të hedhë votën në kutinë e votimit, në mënyrë që me votë ai të ketë mundësi të bëjë diferencën e duhur në skenën politike.   
Është rasti të kujtoj iniciativën e grupimit të OJQ-ve shqiptare, të quajtur “Koalicioni për një parlament të pastër”, kryesuar nga ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Ky koalicion u kërkonte subjekteve politike që do të konkurronin në zgjedhjet e 28 qershorit, të bënin transparente për publikun CV-të dhe pasuritë e kandidatëve të ardhshëm për deputetë, përpara se ato të depozitoheshin në KQZ. Kjo iniciativë, që në vende të ndryshme të Europës Lindore si Rumani, kishte pasur sukses, në Shqipëri u shpërfill plotësisht nga partitë politike.  
Gjithashtu është rasti të kujtoj mungesën totale të reagimit nga partitë politike shqiptare ndaj kërkesave këmbëngulëse të Transparency International (TI) Albania, e cila si para edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit ka kërkuar nga partitë politike që të bëjnë transparencën për burimet e financimit dhe shpenzimet e tyre në fushatën elektorale në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.
Kodi Zgjedhor, në nenin 91 të tij, ngarkon KQZ që të bëjë auditimin e fondeve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore të partive politike, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. KQZ njoftoi se në datën 2 nëntor ka përfunduar ky auditim. Pa paragjykuar aspak punën e ekspertëve kontabël që kanë bërë auditimin e 34 partive politike, pjesëmarrëse në zgjedhje, dua të theksoj se ky është një nonsens i vërtetë. Ç’vlerë kanë këto raporte pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, nëse vërtetohet që kandidatë dhe parti të caktuara politike janë futur në Parlament të financuara nga para të pista?! Ky nonsens juridik kritikohet në të gjitha raportet e sipërcituara të ndërkombëtarëve, të cilat i kërkojnë Shqipërisë që transparenca e fondeve të fushatave elektorale të publikohet përpara zgjedhjeve.   
Në botimin “Financimi i partive politike dhe fushatave të zgjedhjeve”, të International Institute for Democracy and Electoral Assistence (me qendër në Stokholm), autorët pasi analizojnë transparencën në financimin e partive politike në të gjitha rajonet e botës, arrijnë në një sërë konkluzionesh, një nga të cilët është se: “Transparenca në financimin e partive politike nuk mund të ketë sukses në rast se partitë politike kryesore nuk kanë vullnet politik për ta bërë këtë, nëse ato nuk janë të përkushtuara për vendosjen e standardeve më të larta të sjelljes politike”. 
Sa kohë që mungon vullneti politik i partive kryesore në vend, transparenca në financimin e politikës do vazhdojë të jetë e munguar, edhe pse ajo është kërkesë e  Kushtetutës, e ndërkombëtarëve dhe e publikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›