“Do rrisim pagat e pensionet”
Kryeministri Sali Berisha konfirmoi dje rritjen e pagave dhe pensioneve edhe gjatë vitit 2010. Duke folur në fabrikën e riciklimit të plastmasit, në zonën e Kasharit, kreu i Qeverisë tha se “në përputhje me programin e Qeverisë, ne do të rrisim rrogat dhe pensionet. Kjo rritje është e bazuar fund e krye në funksionimin e ekonomisë shqiptare. Në një kohë kur vendet më të pasura të kontinentit po bëjnë ulje të mëdha rrogash, po ngrijnë pensionet, po heqin të gjitha bonuset dhe stimujt, Qeveria shqiptare vazhdon e vendosur në programin e saj të rritjes së rrogave, të rritjes së pensioneve, të krijimit të stimujve, të uljes së mëtejshme të taksave”. Sipas tij “këto janë parimet më të drejta, në mënyrë që Shqipëria të vendoset së shpejti në orbitën e rritjes ekonomike dyshifrore, në orbitën e zhvillimit më të shpejtë”.