E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kandidatura e Kostës, votim i pakuptueshëm”



Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs e cilësoi dje rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës nga ana e maxhorancës si politik. "Disa ditë më parë, Parlamenti refuzoi emërimin e z. Vangjel Kosta në një votim thuajse partiak. Sinqerisht, këtë vendim e gjeta befasues, në mos të pakuptueshëm. Qartësisht, vendimi nuk bazohej mbi kualifikimet e z. Kosta, përderisa përvoja dhe aftësitë e tij qëndrojnë përtej dyshimit dhe, emri i tij si jurist është në nivelet më të larta, përfshi në nivel ndërkombëtar. Dhe, arsyet e dhëna për votimin e Parlamentit dukeshin politike deri në shqetësim", u shpreh Uidhërs. Ambasadori ngriti disa pyetje që, sipas tij, kërkojnë përgjigje dhe nga publiku. "A u bazua ky vendim mbi arsyet apo ishte një tjetër shembull i ushtrimit të trysnisë politike mbi procesin e përzgjedhjes për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese? Arsyet e dhëna për këtë refuzim, çuditërisht ngjajnë me kriteret e ligjit të Lustracionit të vitit të kaluar, i cili u deklarua jo kushtetues nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. A nuk duhet të bëni pyetje lidhur me këtë? A nuk duhet të kërkoni faktet mbi atë çka ndodhi?", u shpreh Uidhërs, gjatë diskutimit për gjyqësorin dhe median. Ish-të përndjekurit politikë mbështetën dje rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›